Ndërlidhjet

Dy zyrtarë amerikanë do të dëshmojnë në hetimet ndaj Trumpit


Kongresi amerikan.
Kongresi amerikan.

Dy zyrtarë të cilët janë përmendur në ankesën e informatorit amerikan për çështjen e Ukrainës, kanë rënë dakord të dëshmojnë para tri komiteteve të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan.

Këto komitete kanë filluar procesin e hetimit ndaj presidentit amerikan, Donald Trump, nëse ai ka bërë presion ndaj Ukrainës për të hetuar ish-nënpresidentin, Joe Biden, dhe djalin e tij.

Ish i dërguari i posaçëm në Ukrainë, Kurt Volker, do të paraqitet para komiteteve të Dhomës më 3 tetor, në një seancë me dyer të mbyllura, njoftuan mediat amerikane.

Ish-ambasadorja amerikane në Ukrainë, Marie Yovanovitch, do të paraqitet para paneleve më 11 tetor.

Një informator i paidentifikuar, ka bërë një ankesë, duke thënë se presidenti Trump gjatë një bisede telefonike i ka kërkuar presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, që të hetojë ish-nënpresidentin, Joe Biden.

Biden është njëri nga pretendentët kryesor për të fituar nominimin e demokratëve për zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.

Trump ka mohuar pretendimet dhe e ka quajtur hetimin nga ana e Dhomës së Përfaqësuesve të udhëhequr nga demokratët si "mashtrimin më të madh në historinë e politikës amerikane".

XS
SM
MD
LG