Ndërlidhjet

Irani shënon 40-vjetorin e krizës me pengje


Teheran, 4 nëntor 2019.

Irani shënon sot 40-vjetorin e sulmit ndaj ambasadës amerikane në Teheran dhe të krizës pasuese me pengje, që ka zgjatur 444 ditë.

Tubimet, e sponsorizuara nga shteti, nisën në afro 1,000 qytete.

Në Teheran, pamjet televizive treguan turma njerëzish përreth ish-ambasadës, së cilës i është dhënë emri "çerdhe spiunësh" qysh pas Revolucionit Islamik të vitit 1979.

Sipas agjencisë së lajmeve Fars, pjesëmarrësit po brohorisin slogane kundër Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit.

Më 4 nëntor të vitit 1979, studentët iranianë kanë sulmuar ambasadën amerikane në Teheran, duke marrë pengje 52 amerikanë, të cilët i kanë mbajtur për 444 ditë.

Kjo ka ndodhur pasi Uashingtoni ka refuzuar të dorëzojë shahun e përmbysur të Iranit, Mohammad Reza Pahlavi, për gjykim në Iran.

Që atëherë, dy vendet nuk kanë marrëdhënie diplomatike.

Përvjetori këtë vit vjen në kohën e tensioneve të rritura midis Iranit dhe SHBA-së, që kanë pasuar tërheqjen e presidentit amerikan, Donald Trump, nga një marrëveshje bërthamore me Iranin dhe rikthimin e sanksioneve amerikane kundër Republikës Islamike.

XS
SM
MD
LG