Ndërlidhjet

Shtyhet mbyllja e kampit Vuçjak në Bosnje


Vuçjak, Bosnje dhe Hercegovinë

Autoritetet në Bosnje e shtynë për kohë të pacaktuar mbylljen e planifikuar të Vuçjakut, një kamp i improvizuar për migrantë, në veriperëndim të këtij vendi.

Javën e kaluar u tha se mbyllja e kampit, ku ndodhen rreth 600 migrantë, do të niste sot.

Autoritetet në Bosnje janë përballur me kritika nga grupet e të drejtave të njeriut dhe Bashkimi Evropian për kushtet e rënda atje.

Kampi, i cili ndodhet në afërsi të një zone me mina, që kanë mbetur nga lufta e viteve 1992-95, nuk ka as ujë, as energji elektrike, tualete apo shtretër.

Rade Kovaç, drejtor i Shërbimit të Bosnjës për Çështje të Jashtme, e vizitoi kampin të hënën dhe tha se autoritetet e kanë shtyrë mbylljen e tij deri në njoftimin e radhës.

Kovaç tha se migrantët përfundimisht do të zhvendosen në një nga qendrat e pritjes në Kantonin e Sarajevës.

Ai nuk dha arsye për shtyrjen, por, sipas disa mediave, vendimi u mor nga mungesa e akomodimit të duhur në qendrat e pritjes.

Me afrimin e dimrit, presioni pr mbylljen e Vuçjakut është rritur dhe përfaqësuesja e lartë për të drejta të njeriut në Këshillin e Evropës, Dunja Mijatoviq, ka paralajmëruar javën e kaluar se "njerëzit në Vuçjak do të fillojnë të vdesin".

Sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migrim, në Bosnje aktualisht ndodhen rreth 7,500 migrantë - kryesisht të ikur nga luftërat në Lindjen e Mesme.

Migrantët që synojnë të arrijnë në Evropë, shpesh hyjnë në Bosnje përpara se të kalojnë në Kroaci - vend anëtar i Bashkimit Evropian - dhe të vazhdojnë më pas tutje më në perëndim.

XS
SM
MD
LG