Ndërlidhjet

Seancat për ankesat kundër aktgjykimit të Mlladiqit mbahen në mars


Ratko Mlladiq në gjykatën në Hagë

Seancat dëgjimore për ankesat e mbrojtjes dhe të prokurorisë në rastin e ish-komandantit të ushtrisë serbe në Bosnje, Ratko Mlladiq, do të mbahen në gjykatën ndërkombëtare të Hagës më 17 dhe 18 mars të vitit të ardhshëm, njoftoi të hënën gjykata.

Më 22 nëntor, 2017, gjykata në Hagë e ka dënuar Mlladiqin me burgim të përjetshëm, pasi i njëjti është shpallur fajtor për gjenocid në Srebrenicë, përndjekje të boshnjakëve dhe kroatëve në gjithë Bosnjën, terrorizim të popullatës së Sarajevës dhe marrjen peng të pjesëtarëve të Forcës Mbrojtëse të Kombeve të Bashkuara, gjatë luftës së viteve 1992-95.

Këto krime, përveç gjenocidit në Srebrenicë, janë cilësuar si krime kundër njerëzimit, shkelje e ligjeve dhe zakoneve të luftës dhe shkelje e konventave të Gjenevës.

Mbrojtja e ka apeluar aktvendimin, duke kërkuar që Mlladiq të lirohet ose të rigjykohet.

Sipas mbrojtjes, nuk është dëshmuar ekzistenca e shoqatave kriminale dhe as pjesëmarrja e Mlladiqit në to.

Prokuroria, ndërkaq, ka kërkuar përmes ankesës që Mlladiq të shpallet fajtor për gjenocid edhe në gjashtë komuna të Bosnjës, duke thënë se e ka dëshmuar fajësinë e tij.

Mlladiq është në paraburgim në Hagë qysh në fund të majit, 2011.

Ai është arrestuar nga autoritetet e Serbisë më 26 maj të atij viti, në Lazarevo, afër Zrenjaninit.

Gjykata e Hagës e ka ngritur aktakuzën e parë kundër Mlladiqit për gjenocid në Srebrenicë në nëntor të vitit 1995.

Në korrik të vitit 1995, forcat serbe në Srebrenicë kanë vrarë mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë.

XS
SM
MD
LG