Ndërlidhjet

Pendarovski: Ligjin për gjuhën shqipe është kushtetues


Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski .

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski ka mbrojtur të mërkurën ligjin për përdorimin e gjuhëve për të cilin raporti i Komisionit të Venecias kishte vërejtje të shumta.

Në fjalimin e fundvitit të Kuvendit maqedonas, Pendarovski tha se megjithatë Komisioni i Venecias nuk ka dalë me qëndrimin se ligji është antikushtetues dhe se dispozitat e tij madje janë më të larta se ato të konventave ndërkombëtare për të drejtat dhe liritë e njeriut.

Por, ai ka tërhequr vërejtjet nga vështirësitë që mund të dalin në zbatimin e tij në praktikë, në veçanti në gjyqësor, që ishte edhe një nga vërejtjet kryesore të Komisionit të Venecias.

“Juristët e lartë evropianë me të drejtë thonë se shteti ynë në këtë moment nuk ka kapacitet dhe resurse që t’i zbatojë këto standarde në proceset gjyqësore dhe drejtuese. Me fjalë të tjera, çfarë fitohet nga ligji nëse dispozitat e tij mbeten vetëm në letër”, ka deklaruar presidenti Pendarovski.

Ai ka kritikuar edhe zhvillimet në gjyqësor duke kërkuar përgjegjësi për secilin që me pagë shtetërore ka arritur të bëhet milioner.

“Thuajse tri dekada jemi shtet i pavarur, por ende asnjë politikan i lartë apo afarist i pasuruar brenda një nate nuk ka përfunduar pas grillave, kurse aty duhej të përfundonin më shumë se një. Perceptimi te qytetarët është se vetëm të varfërit dhe njerëzit që janë në margjina pa ndonjë relacion me ndonjë pushtet mbajnë përgjegjësi madje edhe për vepra penale për asgjë”, ka theksuar Pendarovski.

Kreu i këtij shteti ka kërkuar nga të gjitha institucionet shtetërore por edhe faktorë të tjerë që bashkërisht të punojnë për arritjen e synimit kryesor të vendit, anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

XS
SM
MD
LG