Ndërlidhjet

Pavarësisht protestave, India miraton regjistrimin e popullsisë


Protestat kundër ligjit për shtetësi të Indisë.

Kabineti qeveritar në Indi ka miratuar planin për regjistrimin e ri të popullsisë, pavarësisht protestave kundër një ligji të shtetësisë, për të cilin kritikët thonë se është anti-mysliman.

Autoritetet thonë se Regjistri Kombëtar i Popullsisë (NPR) do të krijojë një listë, për të gjithë njerëzit që jetojnë në vend dhe do të ndihmojë në përpilimin e politikave.

Sidoqoftë, kritikët thonë se kjo do të jetë një listë, përmes së cilës "qytetarëve të dyshimtë" do t'u kërkohet të dëshmojnë se janë indianë.

Çfarë parasheh regjistrimi i popullsisë?

Autoritetet thonë se qëllimi i regjistrimit është të krijohet një bazë e të dhënave gjithëpërfshirëse të identitetit për çdo "banor të zakonshëm".

Një "banor i zakonshëm" është personi që ka jetuar në një zonë, për të paktën gjashtë muaj ose një person që planifikon të jetojë në një zonë, për gjashtë muaj ose më shumë.

Kjo do të thotë që të huajt që jetojnë në Indi do të përfshiheshin në regjistrim.

Pse po kundërshtohet regjistrimi?

Kritikët thonë se ky është hapi i parë për krijimin e Regjistrit Kombëtar të Qytetarëve nga ana e partisë nacionaliste hinduse Bharatiya Janata, e cila është në pushtet.

Ky lloj regjistrimi tashmë është zbatuar në shtetin veri-lindor të Assam, ku njerëzit duhej të provonin se ata arritën në Indi deri më 24 mars të vitit 1971, një ditë para se Bangladeshi fqinj të bëhej një vend i pavarur.

Ky proces la gati dy milionë njerëz jashtë regjistrit. Autoritetet nuk e kanë sqaruar ende se cilat dokumente do të duheshin për banorët e pjesës tjetër të Indisë, në mënyrë që të bëhen pjesë e regjistrit.

Protestat për ligjin e shtetësisë

Planet për regjistrimin e popullsisë vijnë disa javë pasi u miratua ligji për shtetësinë, që shkaktoi protesta të dhunshme në mbarë Indinë.

Deri më tani më shumë se 20 njerëz kanë vdekur nga trazirat.

Ligji lejon që jomyslimanët nga Bangladeshi, Pakistani dhe Afganistani, të cilët kanë hyrë në Indi në mënyrë të paligjshme, të bëhen shtetas.

Kritikët thonë se ligji është pjesë e agjendës së qeverisë për të margjinalizuar myslimanët dhe se shkel parimet laike, të përcaktuara me kushtetutë.

Qeveria mohon çdo paragjykim fetar dhe thotë se myslimanët nuk janë të përfshirë në ligjin e ri, sepse nuk janë pakicë fetare dhe nuk kanë nevojë për mbrojtjen e Indisë.

XS
SM
MD
LG