Ndërlidhjet

Ambasada amerikane uron deputetët e rinj, bën thirrje për qeveri të re


Flamuri amerikan.

Ambasada amerikane në Kosovë ka mirëpritur konstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe ka përgëzuar kryeparlamentarin e legjislaturës së shtatë, Glauk Konjufca, ashtu sikurse anëtarët tjerë të Kuvendit.

“Ne inkurajojmë liderët politikë që të formojnë një qeveri të re menjëherë, e cila është e përkushtuar për të përmbushur mandatin e votuesve. Ne presim që të punojmë me qeverinë e re, në çështjet e lidhura me paqen, drejtësinë dhe mirëqenien”, thuhet mes tjerash në deklaratën e kësaj ambasade.

Në seancën konstituive të së enjtes, Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje është zgjedhur kryetar i Kuvendit të Kosovës.

Kuvendi ka zgjedhur në postet e nënkryetarëve, Arbërie Nagavcin nga Lëvizja Vetëvendosje, Kujtim Shalën nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Memli Krasniqin nga Partia Demokratike e Kosovës. Kurse nga komunitetet, Sllavko Simiq nga Lista Serbe dhe Fikrim Damka nga komuniteti turk, u zgjodhën po ashtu në pozitat nënkryetarë të Kuvendit. Me zgjedhjen e kryetarit dhe pesë nënkryetarëve, ka përfunduar procedura e konstituimit të Kuvendit të Kosovës.

Edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka uruar deputetët e legjislaturës së shtatë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Në një postim në rrjetin social, Facebook, Thaçi ka thënë se Kosova ka përpara sfida të shumta që sipas tij kërkojnë nivel të lartë të përgjegjësisë.

“Prandaj të gjithë të zgjedhurit e popullit duhet t’i lënë anash interesat politike dhe të punojnë për krijimin sa më të shpejtë të institucioneve të Republikës së Kosovës”, ka thënë mes tjerash Thaçi.

Më shumë rreth seancës së Kuvendit lexoni këtu: Konstituohet kuvendi - Glauk Konjufca, kryetar

XS
SM
MD
LG