Ndërlidhjet

Konstituohet kuvendi - Glauk Konjufca, kryetar


Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:45 0:00

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, është zgjedhur kryetar i Kuvendit të Kosovës. Ai është zgjedhur në këtë pozitë në seancën konstituive me 75 vota për, 27 kundër dhe 6 abstenime.

Kuvendi ka zgjedhur në postet e nënkryetarëve, Arbërie Nagavcin nga Lëvizja Vetëvendosje, Kujtim Shalën nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Memli Krasniqin nga Partia Demokratike e Kosovës. Kurse nga komunitetet, Sllavko Simiq nga Lista Serbe dhe Fikrim Damka nga komuniteti turk, u zgjodhën po ashtu në pozitat nënkryetarë të Kuvendit. Me zgjedhjen e kryetarit dhe pesë nënkryetarëve, ka përfunduar procedura e konstituimit të Kuvendit të Kosovës.

Seanca konstituive është drejtuar nga deputeti më i vjetër, Jahja Koka, dhe deputetja më e re, Fjolla Ujkani, të dy deputetë nga Lëvizja Vetëvendosje.

Në fillim të seancës është formuar Komisioni i përkohshëm për verifikimin e mandatit të deputetëve. Pasi që ky komision verifikoi mandatet, deputetët e rinj bënë betimin sipas ligjit dhe Kushtetutës.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka uruar të gjithë deputetët e legjislaturës së shtatë për konstituimin e Kuvendit, duke iu dëshiruar punë të mbarë në detyrat e tyre.

Edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ka mirëpritur konstituimin e Kuvendit dhe ka kërkuar që sa më shpejt të formohet qeveria e re.

“Ambasada e Amerikës në Kosovë mirëpret konstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe uron kryetarin Glauk Konjufca, anëtarët e Kryesisë dhe të gjithë deputetët”, thuhet në deklaratën e Ambasadës Amerikane.

"Ne inkurajojmë liderët politikë që të formojnë menjëherë qeverinë e re për të përmbushur kështu mandatin e votuesve. Presim të punojmë me qeverinë e re në çështjet e ngutshme që lidhen me paqen, drejtësinë e prosperitetin", thuhet tutje në deklaratë.

Ndërkaq, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, e ka vlerësuar si hap pozitiv konstituimin e Kuvendit. Ish-kryetari i Kuvendit nga përbërja e kaluar tha se konstituimi do t’i hapë rrugën formimit të qeverisë së re të Kosovës.

“Për dy mandate kam qenë kryetar i Kuvendit. Shpresojmë që dita e sotme t’i hapë rrugë edhe krijimit të institucioneve të reja, përkatësisht qeverisë së Kosovës”, tha Veseli gjatë një konference për gazetarët pas seancës së Kuvendit.

“Ajo që është kryesore, nuk duhet t’i polarizojmë qytetarët në mes veti dhe nuk duhet të krijojmë kriza artificiale”, tha ndër tjera Veseli.

Marrëveshje apo mosmarrëveshje?
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:03:20 0:00

Paqartësitë para seancës konstituive

Para seancës konstituive, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka konfirmuar të mërkurën se Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nuk kanë arritur marrëveshje për koalicion qeverisës.

Ai nuk i kishte shpallur të përfunduara negociatat për qeverinë e re, por ka thënë se në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, Vetëvendosje dhe LDK-ja shkojnë pa marrëveshje.

Zëdhënësi i Vetëvendosjes, Erzen Vraniqi, ka cituar nënkryetarin e partisë, Glauk Konjufca, i cili ka deklaruar se “nuk është në interes të Kosovës të bëjmë konstituim të organeve të Kuvendit pa marrëveshje gjithëpërfshirëse edhe për qeverinë”.

Këto deklarata e bënin të paqartë rrjedhën e seancës dhe konstituimin e Kuvendit.

Mustafa: Nëse s'ka marrëveshje, LDK-ja e gatshme për opozitë

Pak para se seanca të zhvillohej edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, kishte deklaruar se negociatat nuk kanë dështuar, por sipas tij "ka dështuar strategjia e Vetëvendosjes për ta siguruar para publikut epitetin e palës parimore dhe gjeneroze në negociata dhe për t'ia hedhur fajin LDK-së".

Të enjten, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka mbledhur kryesinë e partisë ku ka diskutuar në lidhje me propozimet e Vetëvendosjes për koalicion. Mustafa tha pas këtij takimi se LDK-ja mbetet e përkushtuar që të gjendet një zgjidhje dhe të mos lejohet që vendi të shkojë në zgjedhje. Ai ka qenë mjaft i prerë në qëndrimet e tij.

Mustafa tha se marrëveshja duhet të përfshijë ndarjen reciproke të pushtetit, pesë ministri për Vetëvendosjen dhe pesë për LDK-në. Posti i kryeministrit për Vetëvendosjen, kurse i zëvendëskryeministrit të parë për LDK-në. Kurse, kryetari i Kuvendit dhe posti i presidentit, sipas tij, duhet t’i besohen LDK-së. Në shkëmbim, ai tha se Vetëvendosje pastaj më 2021, kur do të zgjidhej presidenti, do të merrte edhe një ministri nën udhëheqje.

“LDK-ja do të propozojë kandidatin për president që i plotëson të gjitha kushtet dhe mbesim pas asaj që pas zgjedhjes së presidentit, LVV-ja të marrë një ministri nga LDK-ja”, tha Mustafa.

Po qe se kjo ofertë nuk pranohet nga Vetëvendosje, Mustafa tha se LDK tërhiqet nga marrëveshja.

“Nëse LVV-ja nuk është gati për këtë marrëveshje dhe e sheh LDK-në si pengesë, atëherë unë deklaroj që LDK-ja është e gatshme të heqë dorë nga të gjitha përgjegjësitë institucionale. LDK-ja shpreh gatishmërinë që të votojë pa asnjë kusht qeverinë e LVV-së”, u shpreh lideri i LDK-së, duke shtuar se "nëse tërhiqemi, ne votojmë, por qëndrojmë në opozitë”.

Mosmarrëveshjet rreth koalicionit qeverisës ndërmjet LVV-së dhe LDK-së ndërlidhen me postin e presidentit, i cili do të duhet të zgjidhet në pranverën e vitit 2021.

Vetëvendosje është deklaruar se nuk e preferon arritjen e marrëveshjes edhe për presidentin e ardhshëm, përderisa LDK-ja insiston që ta ketë mbështetjen dhe zotimin me shkrim të Vetëvendosjes për kandidatin e saj për president në vitin 2021, kur edhe do të votohet zgjedhja e tij në Kuvend.

Analisti politik, Ilir Ibrahimi, ka kritikuar qasjen e LVV-së dhe LDK-së në përpjekjet e tyre për marrëveshje. Përmes një postimi në Facebook, Ibrahimi ka shkruar se të dy partitë janë nisur nga qasja e arrogancës dhe lakmisë për pushtet.

Kushtetuta e Kosovës e përcakton që Kuvendi i Kosovës zgjidhet me mandat katërvjeçar, duke filluar nga dita e seancës konstituive.

Kuvendi konsiderohet i konstituuar në momentin kur nga radhët e veta zgjedh kryetarin dhe pesë nënkryetarët (Kryesinë e Kuvendit). Bazuar në Kushtetutë, kryetari i kuvendit propozohet nga grupi më i madh parlamentar dhe zgjidhet me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të kuvendit. Kurse, tre nënkryetarët, të propozuar nga tri grupet më të mëdha parlamentare, zgjidhen me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të kuvendit, përderisa dy nënkryetarë përfaqësojnë komunitetet që nuk janë shumicë në kuvend dhe ata zgjidhen me shumicën e votave të të gjithë deputetëve.

Kuvendi ka 120 ulëse, prej tyre 20 ulëse janë të garantuara për komunitetet joshumicë, përkatësisht 10 për komunitetin serb dhe po aq për komunitetet tjera joshumicë.

Pas konstituimit të Kuvendit, pason procedura tjetër, ajo e formimit të Qeverisë së Kosovës.

Neni 95 i Kushtetutës e parasheh formën e zgjedhjes së Qeverisë. Aty thuhet se pas zgjedhjeve, presidenti i Republikës së Kosovës i propozon kuvendit kandidatin për kryeministër, në konsultim me partinë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për ta formuar Qeverinë.

Në bazë të Kushtetutës, kandidati për kryeministër, jo më vonë se pesëmbëdhjetë ditë pas emërimit, paraqet përbërjen e qeverisë para Kuvendit të Kosovës dhe kërkon miratimin nga ana e legjislativit.

Qeveria konsiderohet e zgjedhur nëse merr shumicën e votave (61 e më shumë) të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Nëse përbërja e propozuar e qeverisë nuk merr shumicën e votave të nevojshme, presidenti i Republikës së Kosovës, brenda dhjetë ditësh emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës procedurë. Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet Qeveria e Kosovës, atëherë presidenti i Kosovës i shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet ditë nga dita e shpalljes së tyre. Anëtarët e qeverisë pas zgjedhjes, japin betimin para kuvendit.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë janë mbajtur më 6 tetor. Lëvizja Vetëvendosje ka fituar më së shumti vota, e përcjellë nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Këto zgjedhje pasuan dorëheqjen e Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit të Kosovës, pasi që ai kishte marrë ftesë për intervistë në cilësinë e të dyshuarit nga Gjykata Speciale me seli në Hagë.

XS
SM
MD
LG