Ndërlidhjet

SHBA-ja vret gjeneralin e forcave elite të Iranit, Teherani zotohet për hakmarrje


Gjenerali, Qasem Soleimani

Gjenerali, Qasem Soleimani, kreu i forcave elite të Gardës Revolucionare të Iranit është vrarë nga forcat amerikane në Irak.

Pentagoni ka konfirmuar se ai është vrarë me “vendim të presidentit”.

Gjenerali Soleimani ka qenë në makinë teksa ishte nisur në aeroportin e Bagdadit, bashkë me milicitë e përkrahura nga Irani, kur është qëlluar përmes një sulmi ajror të Shteteve të Bashkuara.

Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei ka thënë se “hakmarrje e ashpër i pret kriminelët”, mbrapa këtij sulmi.

Ai ka shpallur tri ditë zie.

Pamje të makiave të shkatërruara pas sulmit amerikan në Bagdad më 3 janar.
Pamje të makiave të shkatërruara pas sulmit amerikan në Bagdad më 3 janar.

Gjenerali Soleimani, 62-vjeçar, është konsideruar figura e dytë më e fuqishme në Iran, pas Khameneit. Forcat e tij elite, Quds, i kanë raportuar drejtpërdrejt liderit suprem Khamenei dhe ai është cilësuar si figurë historike kombëtare.

Mirëpo Shtetet e Bashkuara e kanë cilësuar komandatin dhe forcat e tij si terroristë dhe i ka mbajtur përgjegjës për vdekjet e qindra personave që kanë qenë pjesë e personelit amerikan.

Ambasada amerikane në Bagdad u ka kërkuar të gjithë shtetasve të saj që të largohen menjëherë nga Iraku pas sulmeve ajrore.

“Për shkak të tensioneve të larta në Irak dhe rajon, ambasada amerikane u bën thirrje shtetasve amerikanë që të largohen menjëherë nga Iraku. Shtetasit amerikanë duket të largohen me linja ajrore apo rrugëve tokësore përmes shteteve tjera”, është thënë në deklaratë.

Fillimisht, presidenti amerikan, Donald Trump, në një postim në Twitter ka publikuar një fotografi të flamurit amerikan, pasi është bërë i ditur lajmi, derisa më vonë ka thënë se gjenerali iranian është dashur të vritet kohë më parë.

"Gjenerali, Qassem Soleimani ka vrarë apo plagosur keq mijëra amerikanë për një periudhë të gjatë kohore dhe ka qenë duke bërë komplot për shumë të tjerë, mirëpo është zënë! Ai qenë drejpërdrejt ose në mënyrë indirekte përgjegjës për vrasjen e miliona njerëzve, duke përfshirë një numër të madh të protestuesve të vrarë në Iran. Ndonëse Irani nuk do ta pranojë kurrë, Soleimani është urryer dhe atij i janë frikësuar brenda shtetit. Ata nuk janë mërzituar siç po pretendojnë liderët. Ai është dashur të vritet shumë vjet më parë”, ka thënë presidenti amerikan përmes disa postimeve në Twitter.

Pak pas sulmit, çmimet globale të naftës janë rritur më shumë se 4 për qind.

Çfarë ndodhi?

Mediat amerikane kanë raportuar se gjenerali Soleimani dhe zyrtarë të milicisë së përkrahur nga Irani janë nisur me dy makina drejt aeroportit të Bagadait, kur janë qëlluar nga një dron amerikan.

Garda Revolucionare e Iranit ka thënë se edhe lideri i milicisë iraniane, Abu Mahdi al-Muhandis është në mesin e të vrarëve.

Pentagoni përmes një deklarate ka thënë: Me udhëzime të presidentit, ushtria amerikane ka marrë vendim për të mbrojtur personelin amerikan duke vrarë, Qasem Soleimanin.

“Ky sulm ajror synon të ndalojë planet e Iranit për sulme në të ardhmen. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të marrin të gjithë hapat e nevojshëm për të mbrojtur njerëzit dhe interesat tona në gjithë botën”, është thënë mes tjerash në deklaratë.

Ky sulm me dron vjen disa ditë pasi disa protesues kanë sulmuar ambasadën amerikane në Bagdad, duke u përleshur edhe me forcat amerikane në ato hapësira.

Pentagoni ka thënë se Gjenerali Soleimani ka miratuar sulmet në ambasadën e SHBA-së.

Si është përgjigjur Irani?

Ministri i Jashtëm iranian, Javad Zarif, e ka cilësuar sulmin “akt ndërkombëtar të terrorizmit” në një postim në Twitter, duke thënë se Shtetet e Bashkuara “kanë përgjegjësi për të gjitha pasoja e avanturizmit të tyre mashtrues”.

Lexoni edhe këtë: Irani thotë se "nuk frikësohet nga lufta" pas kërcënimit të Trumpit

Ish-komandati i Gardës Revolucionare, Mohsen Rezaei, ka thënë se Irani do të kryejë “hakmarrje të ashpër ndaj Amerikës”.

Një zëdhënës i Qeverisë iraniane ka thënë se personeli për siguri kombëtare do të takohet brenda disa orëve për të diskutuar “aktin kriminal të sulmit”.

Kush ishte Qasem Soleimani?

Nga viti 1998, Gjenerali, Qasem Soleimani, ka udhëhequr forcat elite të Gardës Revolcuinare të Iranit, të cilat kryjnë operacione sekrete jashtë vendit.

Irani ka pranuar rolin e këtyre forcave në konfliktin në Siri, duke këshilluar forcat besnike të presidenit sirian, Bashar al-Assad.

Këto forca kanë armatosur mijëra militantë për të luftuar bashkë me to.

Administrata e presidentit Trump ka supozuar se forcat Quds janë “mekanizmi primar i Iranit për të mbështetur” grupet që SHBA-ja i konsideron terroriste në Lindje të Mesme, duke përfshirë lëvizjen Hezbollah të Liban dhe Xhihadin Islamik Palestinez, duke financur, trajnuar dhe ofruar armë këto grupe.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, e pati shpallur Gardën Revolucionare të Iranit bashkë me forcat elite si organizatë terroriste në muajin prill të vitit të kaluar.

Ai ka publikuar një video në Twitter duke thënë se irakianët janë të lumtur që Gjenerali Soleimani nuk është më.

Reagimet brenda SHBA-së

Udhëheqësi demokrat i Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë në Dhomën e Përfaqësuesve, Eliot Engel ka thënë se sulmi i kryer në Bagdad kundër Soleimanit “ka ndodhur pa njoftim apo konsultim me Kongresin”.

Engel ka thënë se Soleimani ka qenë “organizator i dhunës së jashtëzakonshme” dhe i cili “ka gjak të amerikanëve në duart e tij”.

Mirëpo “shtyrja përpara e një veprimi të këtij niveli pa përfshirë Kongresin krijon probleme të mëdha ligjore”, ka thënë Engel.

Udhëheqësi i demokratëve në Senat, Chuck Schumer “nuk është njoftuar paraprakisht për sulmin”, ka thënë një ndihmës i demokratëve për agjencinë e lajmeve, AFP.

Ligjvënësit republikanë në anën tjetër kanë mirëpritur vrasjen e komandatit iranian, duke përmendur mbrojtjen e territorit amerikan.

“Faleminderit zoti president që keni mbrojtur Amerikën”, ka thënë senatori Lindsey Graham përmes një postimi në Twitter.

Ai po ashtu ka thënë se “nëse Irani vazhdon të sulmojë Amerikën dhe miqtë tanë, ata do të pagujnë çmimin më të lartë, që përfshin shkatërrim të rafinerive të tyre të naftës”.

Shtëpia e Bardhë tradicionalisht njofton anëtarët e lartë të Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve të të dyja partive, para marrjes së ndonjë vendimi të madh ushtarak.

Marrëdhëniet SHBA-Iran

Në korrik të vitit 2018, Soleimani ka thënë se forcat e tij janë të gatshme të përballen me ushtrinë amerikane, nëse Trump vepron sipas paralajmërimit të tij se Teherani do të ketë “pasoja të mëdha” nëse kërcënon SHBA-në.

“Zoti Trump si guxoni të na kërcënoni neve?”, ishte cituar të ketë thënë Soleimani.

Drejt diplomacisë apo luftës?

Raportimet për sulme vijnë në kohën e rritjes së tensioneve në mes të Uashingtonit dhe Teheranit prej kur SHBA-ja është tërhequr nga marrëveshja bërthamore që Irani ka nënshkruar me fuqitë botërore më 2015.

Presidenti amerikan, Donald Trump pati thënë se kjo marrëveshje ka shumë mangësi.

Ky dokument parasheh kufizim të aktivitetit bërthamor të Iranit në këmbim të heqjes së sanksioneve.

Mirëpo pas tërheqjes nga pakti bërthamor, SHBA-ja ka nisur fushatë të ashpër me sanksione kundër Iranit, duke i goditur sektorin bankar dhe atë të naftës.

Valutës iraniane i ka rënë vlerë dhe inflacioni ka tejkaluar shifrën 40 për qind.

"Një botë më e rrezikshme"

Rusia dhe Kina, bashkë me fuqitë evropiane kanë reaguar shpejt pas sulmit amerikan, duke paralajmëruar kundër intervenimit ushtarak për të zgjidhur mospajtimet.

Pekini ka kritikuar “përdorimin e forcës në marrëdhëniet ndërkombëtare” dhe ka thënë se duhet respektuar sovraniteti dhe integriteti territorial i Irakut, transmeton AFP.

“Ne u bëjmë thirrje palëve relevante, sidomos Shteteve të Bashkuara të tregojnë qetësi dhe përmbajtje duke anashkaluar përshkallëzimin e mëtejmë të situatës”, ka thënë zëdhënësi i ministrisë së Jashtme të Kinës, Geng Shuang para gazetarëve.

Rusia, e cila ka lidhje të ngushta me Teheranin, e ka cilësuar vrasjen e Soleimanit “të pamatur”.

Moska dhe Teherani kanë përkrahur presidentin sirian, Bashar al-Assad në luftën e tij të gjatë kundër islamistëve radikalë sunitë dhe armiqve të qeverisë së tij në Damask.

Soleimani është konsideruar shpesh si arkitekti i luftës së Assadit kundër rebelëve në Siri.

“Ne e konsiderojmë vrasjen e Soleimanit nga sulmi ajror amerikan në Bagdad si hap të pamatur që mund të ndikojë në rritjen e tensioneve në rajon”, ka thënë ministria ruse e lajmeve, sipas agjencisë Interfax.

Ministria e Jashtme franceze, Amelie de Montchalin, ka thënë për radion RTL se “ne jemi zgjuar në një botë më të rrezikshme.

“Në operacione të tilla e shihni se përshkallëzimi është në rrugë e sipër, ndonëse ne mbi të gjitha kërkojmë stabilitet”, ka thënë ajo.

“Po ndodh ajo për të cilën jemi frikësuar: tensionet mes SHBA-së dhe Iranit po rriten”, ka shtuar mes tjerash ajo.

De Montchalin ka thënë se presidenti francez, Emmanuel Macron planifikon të bisedojë me liderët e rajonit shumë shpejt.

“Roli ynë është të mos marrim anë, por të flasim me të gjithë”, ka deklaruar ajo.

Sekretari i Jashtëm britanik, Dominic Raab po ashtu u ka bërë thirrje të gjitha palëve për të shmangur përshkallëzimin.

“Konflikti i mëtejmë nuk është interesi ynë”, ka thënë ai më 3 janar, duke shtuar se Britania ka njohuri për “kërcënimin agresiv” që përbën forca elite iraniane.

Bazat britanike në Lindje të Mesme kanë rritur sigurinë dhe gatishmërinë, është cituar të ketë thënë një zëdhënës i ministrisë britanike të Mbrojtjes.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu ka ndërprerë udhëtimin në Greqi, pas lajmeve për vrasjen e Soleimanit.

Izraeli i konsideron forcat elite të Iranit si fuqia që qëndron mbrapa rrjetit të armiqve kundër Izraelit, andaj ka luftuar prezencën e këtij rrjeti në Siri në shumë raste.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG