Ndërlidhjet

Irani heq dorë nga zotimet e marrëveshjes bërthamore


Flamuri iranian.

Irani ka njoftuar se nuk do të zbatojë më kufizimet që përcakton marrëveshja bërthamore, të cilën Teherani ka nënshkruar me fuqitë botërore më 2015.

Përmes një deklarate është thënë se ky shtet nuk do të ndjekë kufizime në pasurim, nivelet e pasurimit, stokun e materialit të pasuruar, hulumtimin apo zhvillimin.

Deklarata është bërë publike pas një takimi që është zhvilluar nga kabineti iranian në Teheran.

Ky lajm vjen në kohën e rritjes së tensioneve, si pasojë e vrasjes së gjeneralit iranian, Qasem Soleimani nga Shtetet e Bashkuara në Bagdad.

Sipas marrëveshjes së nënshkruar më 2015, Irani është pajtuar për të kufizuar aktivitetin bërthamor në këmbim të lirimit nga sanksionet ndërkombëtare.

Presidenti amerikan, Donald Trump është tërhequr më 2018 nga kjo marrëveshje, duke thënë se dëshiron të negociojë me Iranin një marrëveshje të re, në të cilën do të përfshiheshin edhe raketat balistike.

Irani ka refuzuar negociata të reja dhe gradualisht ka hequr dorë nga pikat e marrëveshjes bërthamore.

Më herët gjatë ditës së diel, ligjvënësit irakianë kanë miratuar një rezolutë jo të detyrueshme, që bën thirrje për largimin e trupave të huaja nga Iraku, pas vrasjes së Soleimanit në rrugëtimin e tij drejt aeroportit të Bagdadit të premten.

Aktualisht në Irak janë rreth 5,000 trupa amerikane, në kuadër të koalicionit ndërkombëtar për luftim të grupit militant, Shteti Islamik.

Koalicioni ka pezulluar operacionet kundër këtij grupi në Irak, pak para miratimit të rezolutës.

Lexoni edhe këta artikuj: SHBA-ja vret gjeneralin e forcave elite të Iranit, Teherani zotohet për hakmarrje

Trump: Nëse Irani na sulmon, ne do të godasim 52 pozicione iraniane

XS
SM
MD
LG