Ndërlidhjet

Irani sulmon bazat ushtarake amerikane në Irak


Pamje nga sulmi iranian në bazat ushtarake në Irak
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:00:19 0:00

Pamje nga sulmi iranian në bazat ushtarake në Irak

Dy baza ajrore që strehojnë trupat amerikane në Irak janë goditur nga më shumë se një duzinë raketash balistike nga Irani, sipas Departamentit të Mbrojtjes të SHBA-së.

Televizioni shtetëror iranian tha se sulmi është ndërmarrë, si hakmarrje ndaj vrasjes së komandantit të lartë të vendit, Qasem Soleimanit.

Ai u vra në një sulm me dron në Bagdad, me urdhër të presidentit amerikan Donald Trump.

Pentagoni thotë se dy bazat e ushtrisë amerikane që u sulmuan janë në Irbil dhe Al Asad të Irakut.

Është e paqartë nëse ka pasur viktima.

"Presidenti është informuar dhe po monitoron nga afër situatën si dhe po këshillohet me ekipin e tij kombëtar të sigurisë", tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Stephanie Grisham, përmes një deklarate.

Garda Revolucionare e Iranit tha se sulmi ishte në shenjë hakmarrjeje për vdekjen e gjeneralit Soleiman.

"Ne po paralajmërojmë të gjithë aleatët e amerikanëve, të cilët i lëshuan bazat e tyre, ushtrisë së saj terroriste, se në shënjestër do të jetë çdo territor, nga i cili ndërmerren veprimet agresive kundër Iranit", tha ky formacion ushtarak i Iranit, përmes një deklarate të transmetuar nga agjencia shtetërore e Iranit IRNA.

Ministri i Jashtëm iranian, Javad Zarif lëshoi më vonë një deklaratë në Twitter, përmes së cilës pretendoi se sulmi ishte vetëmbrojtje dhe mohoi se Irani po kërkon të përshkallëzohet situata.

Televizioni shtetëror iranian pohoi - pa ofruar prova - se nga sulmet u vranë "të paktën 80 ushtarë të SHBA-së" dhe gjithashtu u dëmtuan helikopterë, dronë dhe pajisje të tjera në bazën ajrore të Ain al-Asad.

Por, presidenti amerikan, Donald Trump përmes një postimi në rrjetin social Twitter, këmbënguli se "gjithçka është në rregull", ndërsa shtoi se autoritetet amerikane nuk kishin shënuar ndonjë viktimë të mundshme nga sulmet.

"Gjithçka është në rregull! Raketat janë lëshuar nga Irani në dy baza ushtarake të vendosura në Irak. Vlerësimi i dëmeve po ndodh tani. Ne kemi ushtrinë më të fuqishme dhe të pajisur mirë kudo në botë! Do të bëj një deklaratë nesër në mëngjes", ka shkruar Trump.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo dhe sekretari i Mbrojtjes, Mark Esper, menjëherë pas sulmeve nga ana e Iranit, mbërritën në Shtëpinë e Bardhë, ndërsa nënpresidenti amerikan, Mike Pence ka qenë në kontakt me drejtuesit e Kongresit përmes telefonit.

Një ditë më parë në Uashington, Esper u tha gazetarëve se ai parashikonte që Irani të hakmerrej për vdekjen e Soleimanit.

"Ne jemi të përgatitur. Dhe atëherë do t'i përgjigjemi siç duhet çdo gjëje që ata bëjnë," paralajmëroi ai.

Reagimet për sulmin

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg e dënoi sulmin dhe i kërkoi Teheranit që të përmbahet.

"Unë dënoj sulmet raketore iraniane ndaj SHBA-së dhe forcave të koalicionit në Irak. NATO i bën thirrje Iranit që të përmbahet nga dhuna e mëtejshme”, tha Stoltenberg.

Një zyrtar i NATO-s tha se nuk kishte viktima në mesin e personelit në misionin e trajnimit të aleancës në Irak.

Ushtria irakiane tha se 22 raketa qëlluan bazat ushtarake.

"Nuk kishte viktima midis forcave Irakiane", njoftoi ushtria.

Kryeministri i Irakut, Adel Abdul Mahdi, mori një mesazh nga Irani, tha zëdhënësi i qeverisë përmes një deklarate.

Sipas tij, Teherani i tha Mahdit se do të shënjestrojë vetëm vendet ku forcat amerikane ishin të pranishme, por nuk specifikonte vendet.

Kryeministri irakian njëkohësisht pranoi një telefonatë nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa raketat po qëllonin bazat ajrore të Ain al-Asad dhe Harir, tha zëdhënësi.

Udhëheqësi suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, në një fjalim televiziv tha se sulmi ishte "një shuplakë në fytyrë" dërguar Shteteve të Bashkuara.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyhahu, paralajmëroi se vendi i tij do të godiste fuqishëm këdo që e sulmon atë, pasi përsëriti mbështetjen e tij për vrasjen e komandantit ushtarak iranian, Qasem Soleimani.

"Kushdo që përpiqet të na sulmojë do të marrë goditjen më të fortë", tha Netanyahu në Jeruzalem.

Ai tha se Izraeli "qëndron plotësisht" përkrah vendimit të presidentit amerikan, Donald Trump, për të vrarë gjeneralin iranian, duke thënë se Trump duhet të urohet për veprimin e marrë me "me shpejtësi, guxim dhe vendosmëri".

Profesori, Stephen David i Universitetit Johns Hopkins i tha Zërit të Amerikës se ndërsa hakmarrja e Iranit nuk ishte e papritur, ishte e habitshme që Teherani zgjodhi të niste sulmin nga territori i vet dhe të përdorte raketa balistike - një armë në thelb më e fuqishme sesa një raketë.

Sulmet e Iranit në bazat ushtarake në Irak janë dënuar edhe nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Ai përmes një postimi në Twitter ka thënë:

“Ne i dënojmë sulmet raketore iraniane kundër forcave amerikane dhe aleatëve të vendosura në Irak që janë të fokusuara në mposhtjen e ISIS-it. Kosova është anëtare e koalicionit, dhe i bëjmë thirrje Iranit që të ndalë eskalimin e dhunës. Ne vazhdojmë mbështetjen për Shtetet e Bashkuara dhe familjen atlantike në këtë kohë trazirash”, ka shkruar Thaçi.

Çfarë ndodhi?

Dy baza ushtarake që strehojnë trupa amerikane dhe të koalicionit të udhëhequr nga SHBA-ja u sulmuan me raketa të Iranit. Njëra bazë në Al Asad dhe një në Irbil të Irakut.

Raketat u lëshuan nga territori i Iranit.

Baza ajrore e Al-Asad - e vendosur në provincën Anbar të Irakut perëndimor - u godit nga të paktën gjashtë raketa.

Më herët, presidenti Trump tha se një tërheqje e trupave amerikane nga Iraku do të ishte gjëja më e keqe për vendin.

Komente të tij u bënë pas një letre që ushtria amerikane tha se ishte dërguar gabim, te kryeministri i Irakut, për një tërheqje të mundshme të trupave amerikane.

Parlamenti i Irakut kishte kërkuar tërheqjen e trupave të huaja, menjëherë pas vrasjes së gjeneralit iranian.

SHBA-ja ka rreth 5000 trupa në Irak.

Si u përshkallëzua situata?

Më 3 janar, Shtetet e Bashkuara përmes sulmeve ajrore vranë udhëheqësin e forcës Kuds të Iranit, Qasem Soleimani.

Irani ka kërcënuar se do të hakmerret ashpër.

Uashingtoni e ka fajësuar Soleimanin për vrasjen e trupave amerikane në Irak dhe e ka akuzuar atë për komplot për sulme të reja pak para vrasjes së tij, javën e kaluar pranë aeroportit të Bagdadit.

Soleimani ka udhëhequr milicitë iraniane në konfliktet në Siri, Irak, Liban dhe Jemen.

Shtetet e Bashkuara e kanë konsideruar si "terrorist".

Përgatiti: Kestrin Kumnova
XS
SM
MD
LG