Ndërlidhjet

Nënkryetari i LDK-së: VV-ja përpiqet për pushtet absolut


Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës
Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, tha se "angazhimi dhe veprimet e ditëve të fundit të Lëvizjes Vetëvendosje nuk janë përpjekje serioze për ndërtimin e institucioneve dhe arritjen e marrëveshjes me LDK-në" për bashkëqeverisje në Kosovë.

"E tëra kjo është një përpjekje e VV-së për pushtet absolut dhe për ta nënshtruar e nënçmuar LDK-në, duke provuar t’ia nëpërkëmbin dinjitetin", tha Veliu në një postim në Facebook.

Vetëvendosje, e cila ka dalë fituese në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit, dhe LDK-ja, si partia e dytë, janë duke zhvilluar negociata për krijimin e koalicionit qeverisës në Kosovë që nga certifikimi i rezultatit zgjedhor, në fund të nëntorit.

Në tryezën e bisedimeve të tyre ka pasur vazhdimisht kërkesa dhe propozime të reja.

Të martën, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, bëri publik "propozimin përfundimtar" që kjo parti ia ka ofruar LDK-së për formimin e Qeverisë së Kosovës.

Propozimi, mes tjerash, thotë se numri i ministrive në qeveri do të shtohet nga 12 në 14 sosh.

Pesë ministri do t'i takonin Lëvizjes Vetëvendosje, gjashtë LDK-së dhe tri pakicave.

"Kërkesat e sotme të VV-së shkojnë edhe më larg, në synimin e tyre që LDK-ja të shkëputet nga e kaluara e saj evropiane dhe euroatlantike", tha Veliu në Facebook.

XS
SM
MD
LG