Ndërlidhjet

Zaev: Anulimi i Marrëveshjes së Prespës shkatërron të ardhmen e Maqedonisë së V.


Ish-kryeministri maqedonas, Zoran Zaev.

Ish-kryeministri maqedonas, Zoran Zaev, ka akuzuar liderin e opozitës maqedonase, Hristijan Mickovski se po rrezikon stabilitetin dhe të ardhmen euroatlantike të Maqedonisë së Veriut me kërcënimet për anulimin e Marrëveshjes së Prespës nëse fiton zgjedhjet parlamentare më 12 prill.

Në një konferencë për media në Shkup, Zaev tha se “anulimi eventual i Marrëveshjes së Prespës me Greqinë për çështjen e emrit, do ta kthente vendin 25 vjet mbrapa. Maqedonia e Veriut jo vetëm që nuk do ta finalizonte anëtarësimin në NATO por do të mbetej edhe pa perspektivë evropiane”.

"A është e vetëdijshme VMRO-DPMNE-ja për atë që do të ndodhte nëse anulohet Marrëveshja e Prespës? Anulimi i saj do të na rikthente 25 vjeç mbrapa, do të kthente referencën FYROM (Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë), emër ky me të cilin ishim pagëzuar në kurriz të emrit kushtetues. Anulimi i marrëveshjes do të thotë të humbasësh anëtarësimin në NATO, të humbasësh perspektivën e BE-së, të humbasësh miliarda euro investime. Pa Marrëveshjen e Prespës do të humbim mbështetjen e partnerëve tanë strategjikë, do të kemi bllokada të reja nga Greqia, do të kemi paqëndrueshmëri të brendshme dhe rreziqet për konflikte ", ka theksuar Zaev, kryetar i Lidhjes Social-Demokrate.

" Unë i bëj thirrje Mickoskit dhe VMRO-DPMNE-së që të ndalojë me tezat e rrezikshme dhe manipuluese për anulimin ose ndryshimin e Marrëveshjes së Prespës. Nëse nuk ka Marrëveshje të Prespës nuk do të ketë të ardhme ”, tha Zaev i bindur se opozita nuk do të arrijë të fitojë në zgjedhjet e 12 prillit.

VMRO DPMNE, parti, e cila drejtohet nga Hristijan Mickoski nuk ka komentuar deklaratën e Zaevit. Kjo parti në vazhdimësi ka kundërshtuar Marrëveshjen me Greqinë për ndërrimin e emrit të Maqedonisë në Maqedonia e Veriut dhe është kërcënuar se "pas fitores në zgjedhjet e 12 prilli do të shqyrtojë të gjitha mundësitë juridike për anulimin e Marrëveshjes së dëmshme për ndërrimin e emrit kushtetues".

Marrëveshja me Greqinë për ndryshim të emrit të Maqedonisë në Maqedoni e Veriut është nënshkruar më 17 qershor të vitit 2018.

Zgjedhjete jashtzakonshme ishin paralajmëruar nga Zaev menjëherë pas dështimit për marrjen e datës për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit me Bashkimin Evropian, në samitin e liderëve të BE-së, më 18 tetor të vitit 2019.

XS
SM
MD
LG