Ndërlidhjet

SHBA-ja e cilëson qesharake ofertën e ligjvënësit iranian për vrasjen e Trumpit


Diplomati amerikan, Robert Wood.

Një zyrtar i lartë amerikan tha se oferta e një ligjvënësi iranian për të shpërblyer secilin që do të vriste presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, është "qesharake" dhe tregon për "themelet terroriste" që i ka establishmenti i Iranit.

Robert Wood, përfaqësues i përhershëm i SHBA-së në Konferencën për Çarmatosje, i bëri këto komente të martën, pasi ligjvënësi iranian, Ahmad Hamzeh, ditë më parë, ofroi tre milionë dollarë për hakmarrje ndaj vrasjes së një komandanti ushtarak iranian, më 3 janar.

Vrasja e Qasem Soleimanit në një sulm me dron, të urdhëruar nga Trump, ka bërë që Irani të sulmojë me raketa dy baza amerikane në Irak.

"Në emër të popullit të provincës Kerman, ne do të paguajmë një shpërblim prej tre milionë dollarësh për këdo që vret Trumpin", tha Hamzeh në Parlamentin iranian, transmeton agjencia e lajmeve ISNA.

Hamzeh përfaqëson qarkun Kahnouj, pranë Kermanit, që është vendlindja e Soleimanit.

Ai nuk tha se kush do të paguante për këtë shpërblim ose nëse shpërblimi ka ndonjë mbështetje zyrtare nga qeveritarët klerikë të Iranit.

Duke folur para gazetarëve në Gjenevë, Wood tha se shpërblimi është "thjesht qesharak, por tregon për themelet terroriste" të regjimit iranian.

Wood po ashtu tha se regjimi i Iranit duhet të ndryshojë sjelljen e tij.

XS
SM
MD
LG