Ndërlidhjet

Rusia bëhet me qeveri të re


Kryeministri i Rusisë, Mikhail Mishustin, dhe presidenti Vladimir Putin.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, miratoi të martën Qeverinë e re ruse, në të cilën mbeten edhe disa ministra të qeverisë paraprake.

Deri te ndryshimi i qeverisë erdhi javën e kaluar, kur Putin tha se ky vend duhet të kalojë nëpër reforma të mëdha kushtetuese.

Menjëherë pas adresimit të Putinit, Dmitry Medvedev, i cili ka qenë kryeministër i Rusisë për tetë vjet, dha dorëheqje.

Ditën pasuese, Mikhail Mishustin, ish-shef i Shërbimit Tatimor të Rusisë, u emërua kryeministër.

"Detyra më e rëndësishme është të rrisim mirëqenien e qytetarëve tanë dhe të forcojmë shtetësinë tonë dhe pozitën e vendit tonë në botë. Të gjitha këto janë qëllime absolutisht të arritshme", tha të martën Putin, duke shtuar se qeveria e re është "shumë e balancuar".

"Kemi mjaft njerëz që kanë punuar edhe në qeverinë e kaluar", tha ai.

Ministri i Jashtëm, Sergei Lavrov, ministri i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, dhe ministri i Financave, Anton Siluanov, i kanë pasur këto pozita edhe në qeverinë e kaluar.

Gjatë një fjalimi drejtuar kombit, më 15 janar, Putin foli për ndryshime kushtetuese që do t'i rrisnin kompetencat e parlamentit, përpara përfundimit të mandatit të tij, më 2024.

Shumë vëzhgues dyshojnë se Putin po përpiqet të përgatisë terrenin për të vazhduar sundimin e tij në një kapacitet të ri.

Putin, 67 vjeç, ka dominuar politikën ruse për dy dekada, duke shërbyer herë si president, herë si kryeministër nga viti 1999.

Në vitin 2018, ai është rizgjedhur president për një mandat të ri 6-vjeçar.

Me ligjin aktual, ai do të duhet të tërhiqet pas përfundimit të mandatit.

Lexoni edhe këtë:

XS
SM
MD
LG