Ndërlidhjet

Ish-ministri Tahiri angazhon kompani amerikane lobimi


Saimir Tahiri, foto nga arkivi
Saimir Tahiri, foto nga arkivi

Ish-ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Saimir Tahiri, ka angazhuar një kompani amerikane për të komunikuar me “komunitetin politik dhe atë të inteligjencës në Shtetet e Bashkuara”.

Angazhimi i kompanisë ‘Stone Strategic Solution (SIII)’ nga ana e zotit Tahiri është raportuar te Departamenti i Drejtësisë, bazuar në legjislacionin e njohur si Akti i Regjistrimit të Agjentëve të Jashtëm (FARA).

Raportimi i lobimit është i detyrueshëm me ligj në Shtetet e Bashkuara.

Sipas dokumentacionit të regjistuar në FARA, zoti Tahiri ka angazhuar kompaninë amerikane për ta ndihmuar në “komunikimet me anëtarët e Kongresit të Shteteve të Bashkuara, Departamentin e Shtetit, Departamentin e Drejtësisë dhe komunitetin e inteligjencës, në lidhje me dorëheqjen e tij nga qeveria dhe çështjet që ndërlidhen me betejën e tij ligjore në Shqipëri”.

Në dokumentacion, mes tjerash, përmenden edhe “fushatat e keqinformimit dhe pretendimeve të rreme në media, që në shënjestër kanë zotin Tahiri”.

Kompania SIII, me seli në Bukuresht të Rumanisë, është angazhuar nga zoti Tahiri më 14 janar, 2020, për një periudhë tremujore, deri më 14 prill, 2020, me mundësi zgjatjeje.

Çmimi bazë për këtë tremujor do të jetë 20,000 euro.

Gjykata e Krimeve të Rënda në Shqipëri e kishte shpallur fajtor më 20 shtator, 2019, zotin Tahiri, për shpërdorim detyre, por nuk e gjeti fajtor për akuzat e trafikut të drogës.

Prokurorët kishin kërkuar që Tahiri të dënohej me burgim prej 12 vjetësh me akuzën e korrupsionit dhe trafikut të drogës, si pjesë e një grupi kriminal.

Ai u dënua me 5 vjet burgim, por duke qenë se ai më parë kishte pranuar gjykimin e shkurtuar, atëherë dënimi, sipas vendimit, u konvertua në 3 vjet e 4 muaj shërbim prove.

XS
SM
MD
LG