Ndërlidhjet

Detyrat e qeverisë së re, nga dialogu deri te ndalja e emigrimit


Kabineti i ri qeveritar i Kosovës
Kabineti i ri qeveritar i Kosovës

Shumë sfida e presin qeverinë e re të Kosovës të drejtuar nga kryeministri Albin Kurti, thonë analistë të çështjeve politike dhe ekonomike.

Çështje urgjente sa i përket politikës së jashtme për qeverinë e re, sipas analistëve, do të jetë dialogu me Serbinë dhe arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe juridikisht obliguese.

Derisa në aspektin e brendshëm, analistët thonë, se ndalja e emigrimit të të rinjve, zhvillimi ekonomik, rritja e punësimit, luftimi i korrupsionit, fuqizimi i rendit dhe ligjit janë vetëm disa çështje që duhet të adresohen nga qeveria e re.

Analisti i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri thotë për Radion Evropa e Lirë se kryeministri Kurti do të udhëheq një qeveri në një moment tejet delikat për Kosovën, si në aspektin e brendshëm edhe atë të jashtëm.

Puna e parë që do të duhet të bëjë qeveria Kurti, sipas Muhaxhirit, është ta ndal keqpërdorimin e parasë publike dhe të fillojë rimëkëmbjen e institucioneve shtetërore të cilat, siç thotë Muhaxhiri, janë dëmtuar shumë në qeverisjet e kaluara.

Qeveria Kurti, shton Muhaxhiri do të duhej ta rikthejë besimin e qytetarëve në shtetin e Kosovës.

“Në aspektin ndërkombëtar problemi kryesor i qeverisë Kurti do të jetë çështja e etapës finale të dialogut me Serbinë dhe këtu pritet që të ketë telashe të mëdha pasi që qëndrimi i deritashëm i Kurtit ka qenë përjashtues dhe nuk ka marrë për bazë ecurinë e deritashme të dialogut dhe është pak e pritshme që qasja e tij për rivlerësim të gjithë dialogut të gjejë përkrahje tek aleatët evropian dhe amerikan të cilët kërkojnë një përshpejtim të gjetjes së zgjidhjes”, thotë Muhaxhiri.

Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve, i nisur në vitin 2011, u ndërpre në fund të vitit 2018, kur Kosova u ka vënë taksë 100 për qind prodhimeve të importuara nga Serbia.

Muhaxhiri shton se çështja e dialogut me Serbinë konsiderohet të jetë një problem edhe për faktin se në këtë aspekt ka dallime ndërmjet koalicionit qeverisës.

“Në aspektin e dialogut Vetëvendosje dallon shumë edhe me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe kjo është çështje që është dashur të jetë pjesë e negociatave mes LVV-së dhe LDK-së, pasi që do të jetë e dëmshme nëse kemi krijimin e një qeverie pa një marrëveshje të brendshme për ecurinë në raport me dialogun me Serbinë”, thotë Muhaxhiri.

Sfida të mëdha, Qeverinë Kurti e presin edhe në aspektin ekonomik.

Naim Gashi, ekspert i çështjeve ekonomike thotë për Radion Evropa e Lirë se problemet kryesore më të cilën ballafaqohen qytetarët e Kosovës dhe të cilat duhet të adresohen nga Qeveria e Kosovës, janë problemet e punësimit, zhvillimit ekonomik dhe ikja e qytetarëve të Kosovës jashtë vendit.

Viteve të fundit, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës ka pasur rritje të emigrimit. Më shumë se 220 mijë qytetarë të Kosovës sipas këtyre të dhënave kanë emigruar në dekadën e fundit.

“Prioritete tjera duhet të jenë rendi dhe ligji, kur dihet se në Kosovë drejtësia ende blihet me para dhe drejtësia nuk vlen për ata që janë të pushtetshëm dhe kanë para. Problem tjetër janë, shëndetësia ku dhjetëra miliona euro të qytetarëve të Kosovës shpenzohen jashtë vendit për të kërkuar shërbime, kurse sistemi arsimor është i kolapsuar për shkak se nuk është ndërlidhur me tregun e punës”, thotë Gashi.

Gashi shton se prioritetet nacionale dhe investimet e buxhetit të shtetit, të cilët deri më tash ishin të orientuara kah asfalti, skemat sociale, pagat dhe mëditjet, duhet të kthehen kah krijimi i vendeve të reja të punës dhe perspektivës për të rinjtë, për të vazhduar jetën në Kosovë.

“Barazia në treg e ndërmarrjeve private dhe qasja në fondet publike në mënyrë të drejtë duke luftuar monopolet do të krijonte privilegje për kompanitë që të përfshihen dhe zgjerohen dhe të krijojnë vende të punës. Kosova është një vend që ka potencial për tu zhvilluar, ka kapacitete edhe humane edhe resurse natyrore, por aktivizimi i këtyre mekanizmave nuk është bërë deri më tani dhe për pasojë ne kemi mbetur vendi më i varfër në rajon dhe Evropë”, thotë Gashi.

Në raportet e organizatave ndërkombëtare dhe atyre vendore ishin theksuar se emërimet politike, fenomeni i nepotizmit dhe korrupsionit, ngufasin institucionet e Kosovës dhe në përgjithësi shoqërinë.

Sipas raportit të fundit të organizatës Transparency International, Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2019, Kosova del se ka shënuar regres sa i takon luftës kundër korrupsionit.

Niveli i lartë i papunësisë dhe atë rreth 30 për qind, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës është një problem që ka përcjell Kosovën ndër vite.

Ndërkaq, sektori i arsimit për vite me radhë është përballur me probleme të mëdha dhe pa përmirësim të duhur në fusha të caktuara.

Albin Kurti, në elaborimin e programit qeverisës në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se qeveria e tij do të jetë një “qeveri e kursimit të parasë publike”.

*Video: Albin Kurti zgjidhet kryeministër i Kosovës

Albin Kurti zgjidhet kryeministër i Kosovës
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:13 0:00

Ai ka thënë se kursimet do të përfshijnë të gjitha fushat, duke nxitur zhvillimin ekonomik, shtimin e vendeve të reja të punës dhe ndaljen e emigrimit të qytetarëve të Kosovës për në vendet tjera evropiane.

Kurti ka premtuar se buxheti i Kosovës do të arrijë në 3 miliardë euro, nga 2.3 miliardë euro sa ka qenë vitin e kaluar.

XS
SM
MD
LG