Ndërlidhjet

Maqedonia e Veriut shton masat kundër koronavirusit


Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit

Përhapja e koronavirusit në Itali ka bërë që autoritetet në Maqedoninë e Veriut të përforcojnë kontrollet në të gjitha vendkalimet kufitare të shtetit, duke detyruar të gjithë udhëtarët të cilët hyjnë në vendkalimet kufitare të vendit dhe aeroportet në Shkup dhe Ohër t'i nënshtrohen kontrolleve më të rrepta.

Situata në Itali me të infektuarit nga koronavirusi ka ndezur alarmin në Maqedoninë e Veriut pas dyshimeve se një shtetas i Maqedonisë së Veriut i cili erdhi nga rajoni i Milanos ishte pranuar në Klinikën Infektive në Shkup nën dyshime për koronavirus pas çka u konstatua se ai nuk është i prekur nga ky virus.

“Rezultatet e fundit gjatë ekzaminimit të pacientit i cili dyshohej se ishte i prekur nga koronavirusi dolën se janë negative, do të thotë se në Maqedoninë e Veriut nuk kemi asnjë të sëmurë nga korona virusi dhe besoj se kështu do të vazhdojë nëse u përmbahemi masave të përgjithshme për mbrojtjen dhe parandalimin e përhapjes së këtij virusi”, thotë Ylber Besimi, nënkryetar i Odës së Mjekëve në Maqedoninë e Veriut.

Të hënën, Komisioni për sëmundje ngjitëse në një mbledhje të jashtëzakonshme ka bërë të ditur se është konstatuar ngritja e shkallës së gatishmërisë në nivel më të lartë si masë për të parandaluar përhapjen e virusit vdekjeprurës.

Ministri i Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe, ka kërkuar që qytetarët të mos bien pre e lajmeve të rrejshme.

Ministri Filipçe tha se personat që vijnë nga zonat e krizës dhe kanë simptome të koranavirusit të mos shëtisin nëpër Qendrat e Shëndetit, por menjëhërë të telefonojnë në Qendrën për Shëndet Publik apo Institucionin për Shëndet Publik.

Gjatë të martës ai bëri të ditur se po kryhen analiza tek një qytetar tjetër i cili ka ardhur nga Dubai.

“Para disa çastesh është pranuar një pacient i cili ka qëndruar gjashtë ditë në Dubai, ka simptome të gripit dhe për dy apo tre orë do të dalin rezultatet. Prej sot në Ministrinë e Shëndetësisë do të funksionojë edhe grupi i krizës i cili do të përbëhet nga epidemiolog, ekspertë për sëmundje infektive me qëllim menaxhimin e të gjitha informatave dhe aktiviteteve rrjedhëse që ndërlidhen me koronavirusin".

"Gjatë ditës do të distribuohet i gjithë materiali informativ dhe ai mbrojtës në të gjitha vendkalimet kufitare përfshi edhe aeroportet”, ka deklaruar të martën për media, ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, me ç'rast u ka apeluar qytetarëve që të mos udhëtojnë në Itali pa nevojë, veçanërisht në pjesën veriore të këtij shteti.

Mjekët thonë se nuk ka vend për panik në mesin e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut megjithëse shtojnë se masat për parandalimin e koronavirusit duhet të ndiqen me përpikshmëri, megjithëse bëjnë të ditur se nuk mund të vendoset një mbrojtje e tërësishme nga virusi që përhapet përmes sistemit respirator.

“Ajo që është me shumë rëndësi është që të gjithë qytetarët të zbatojnë masat nga dikasteri ynë i shëndetësisë dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë".

"Një rekomandim i përgjithshëm që të evitojnë vizitat në spitale veçanërisht në departamentet e Pediatrisë, Akusherisë dhe të sëmurëve të tjerë që të evitohen kontaktet që eventualisht ndonjë i sëmurë edhe nga gripi i thjeshtë të mos përhap infeksione nga gripat e ndryshme se ka disa lloje dhe në këtë mënyrë mos krijohet panik te popullata se mos vallë ndonjë është i infektuar nga koronavirusi”, thotë Ylber Besimi, nënkryetar i Odës së Mjekëve në Maqedoninë e Veriut.

Ndërkohë, nga Ministria e Punëve të Jashtme, thonë se asnjë shtetas i Maqedonisë së Veriut nuk është i regjistruar si i prekur nga koronavirusi edhe pse në rajonet e prekura nga virusi në veri të Italisë qëndrojnë rreth 23 mijë shtetas të Maqedonisë së Veriut.

*Expose: Sa në të vërtetë i rrezikshëm është koronavirusi?

XS
SM
MD
LG