Ndërlidhjet

Lajçak "nuk do ta përfaqësonte Sllovakinë por BE-në" në dialogun Kosovë-Serbi


Intervistë me Komisionarin për Zgjerim të BE-së,Oliver Varhelyi
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:00:59 0:00

Komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se ministri i Jashtëm i Sllovakisë, Miroslav Lajçak është një zgjedhje e mirë për të qenë përfaqësues i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit.

Sipas burimeve diplomatike të Radios Evropa e Lirë, Mirosllav Lajçak është propozuar edhe zyrtarisht përfaqësues i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes këtyre dy vendeve.

Ndërkohë të mërkurën, Bekim Qollaku, shef i stafit të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë në një postim në rrjetin social, Twitter se mosliberalizimi i vizave dhe caktimi i një të dërguari që vjen nga një shtet jonjohës (v.j. Sllovakia nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës) janë përbërësit kryesorë të recetës për dështim.

“Roli i suksesshëm i BE-së në dialogun për normalizim varet nga kredibiliteti që e ka në Kosovë. Mosliberalizimi i vizave përkundër përmbushjes së kushteve të padrejta dhe asimetrike, bashkë me caktimin e një të dërguari që vjen nga një shtet jonjohës, janë përbërësit kryesorë të recetës për dështim”, ka shkruar Çollaku.

I pyetur nga Radio Evropa e Lirë nëse paraqet problem emërimi i një përfaqësuesi nga një vend që nuk e ka njohur Kosovën, komisionari për Zgjerim, Varheley tha se “ai nuk e përfaqëson Sllovakinë kur punon për Bashkimin Evropian”.

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka diskutuar me udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë lidhur me vendimin për të emëruar një Përfaqësues të Posaçëm të BE-së për Dialogun dhe Ballkanin Perëndimor.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është ndërprerë në vitin 2018 për shkak të tarifës së vendosur ndaj mallrave serbe nga ana e qeverisë së ish-kryeministrit Ramush Haradinaj.

Në tetor të vitit të kaluar, presidenti amerikan, Donald Trump ka emëruar ambasadorin e SHBA-së në Gjermani, Richard Grenell, si të dërguarin e posaçëm për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Me ndërmjetësimin e tij, Kosova dhe Serbia gjatë javëve të fundit, kanë arritur dy marrëveshje: atë për hekurudhat dhe linjën ajrore Prishtinë-Beograd.

XS
SM
MD
LG