Ndërlidhjet

SHBA-ja kundërshton ashpër krijimin e qeverisë paralele në Afganistan


Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo ka thënë se Uashingtoni dëshiron të shohë “Afganistanin e bashkuar” dhe kundërshton “çfarëdo veprimi për të krijuar qeveri paralele”.

Komentet e tij kanë ardhur disa orë pasi presidenti i shtetit, Ashraf Ghani dhe rivali i tij politik, Abdullah Abdullah kanë mbajtur dy ceremoni të ndara për t’u inauguruar në pozitën e presidentit më 9 mars.

Ghani betohet si president afgan, rivali i tij mban ceremoni paralele

“Ne kundërshtojmë ashpër secilin veprim për krijim të qeverisë paralele dhe përdorimit të forcës për të zgjidhur dallimet politike”, ka thënë Pompeo në një deklaratë.

Ai po ashtu ka dënuar sulmin terrorist që ka ndodhur të njëjtën ditë në Kabul, për të cilin ka marrë përgjegjësinë grupi militant, Shteti Islamik.

Katër raketa janë hedhur afër pallatit presidencial kur Ghani ka qenë duke u betuar për mandatin e dytë si president, ka raportuar agjencia e lajmeve, Khaama Press.

Ndaras kësaj, Uashingtoni ka kërkuar që më 10 mars të mbahet një votim në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për të fituar përkrahje për marrëveshjen me talibanët, që besohet se do t’i hapë rrugë paqes.

Kjo marrëveshje, e nënshkruar më 29 shkurt parasheh largimin e trupave amerikane nga Afganistani pa i zëvendësuar ato.

Një zyrtar amerikan ka thënë në kushte anonimiteti se Shtetet e Bashkuara veçse kanë filluar tërheqjen e trupave të tyre nga ky territor.

Forcat e koalicionit të udhëhequr nga SHBA-ja kanë pushtuar Afganistanin në vitin 2001 duke larguar nga pushteti talibanët, pasi grupi militant refuzoi që ta dorëzonte terroristin e Al-Kaidës, Osama bin Laden.

Nga ajo kohë, rreth 2,400 ushtarë amerikanë janë vrarë gjatë luftimeve, së bashku me dhjetëra mijëra ushtarë afganë, luftëtarë ekstremistë dhe civilë.

XS
SM
MD
LG