Ndërlidhjet

Qytetarët shtojnë blerjet duke grumbulluar rezerva ushqimore


Një market në Prishtinë
Një market në Prishtinë

Blerja dhe krijimi i rezervave të produkteve ushqimore, barnave dhe atyre sanitare e higjienike, tashmë është një dukuri që po manifeston frikën dhe panikën e krijuar te shumë qytetarë nga përhapja e koronavirusit të ri.

Që nga vendimi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për të shpallur gjendje pandemie, që pasoi edhe ndërmarrjen e masave të Qeverisë së Kosovës për mbylljen e përkohshme të institucioneve arsimore dhe masave tjera, blerjet nga qytetarët kanë shënuar rritje, përkundër thirrjeve nga institucionet se nuk ka nevojë për panik, ngase ka mjaftueshëm rezerva.

Aktualisht, në Kosovë ende nuk është shënuar asnjë rast i konfirmuar me virusin e ri dhe infeksionin COVID-19, por përkundër kësaj, qytetarët vazhdojnë të furnizohen me ushqime e gjësende tjera, në rast se do t’iu duhet të izolohen nëpër shtëpitë e tyre.

Qytetarët, thonë se ende nuk po vërehet mungesë e produkteve kryesore nëpër dyqanet ku ata po furnizohen. Mirlinda Lokaj nga Prishtina, thotë se ndonëse aktualisht dyqanet janë të furnizuara mjaftueshëm me ushqime, ajo ka vendosur të blejë për të krijuar rezerva.

“Unë kom dalë dhe kam blerë gjëra ushqimore esenciale, pra disa gjëra që kanë afat të përdorimit më të gjatë, e që mund të shfrytëzohen me kohë. Kam blerë ujë, pasi në lagjen time është uji jo i pijshëm, pasta, oriz, bulgur, miell, sheqer e disa gjëra të tjera për fëmijë, pasi i kam fëmijët e vegjël. Nuk pash se kishte mungesë të produkteve. Disa rafte si p.sh. te rafti i pastave, vërehej që ka më pak sasi, por ka ushqim”, tha ajo

Ndërkaq Miradije Gashi, menaxhere e njërit nga dyqanet e mëdha në Prishtinë, tha se fluksi i qytetarëve në tri ditët e fundit është shtuar shumë.

“Makarona, miell, sheqer, pra gjërat bazike elementare janë duke u shitur më shumë se zakonisht. Fluksi i qytetarëve ka filluar qe tri ditë dhe ka shitje shumë më shumë se zakonisht. Ende nuk ka mungesë të produkteve, ka mjaftueshëm ushqime”, tha ajo.

Edhe Edona Shala, po nga Prishtina, thotë se pavarësisht që në Kosovë nuk janë shënuar raste me koronavirus, megjithatë vëren se ka një lloj panike në mesin e njerëzve.

Ajo thotë se është duke u furnizuar me ushqime si zakonisht dhe nuk ka blerë për të krijuar rezerva, meqë ka produkte të bollshme nëpër dyqane.

“Mendoj se çështja e virusit është bërë tashmë edhe panik tek njerëzit. Unë çdo ditë po blej diçka, pra ato çka më duhen dhe ende nuk e kam parë si të nevojshme të krijojë rezerva, pasi po shoh se në markete (dyqane) ka ushqim të mjaftueshëm. Mendoj se paniku është më i keq se vetë virusi”, tha ajo.

*Video: Çfarë duhet të dini për koronavirusin e ri?

Qeveria e Kosovës, përmes zëvendëskryeministrit Haki Abazi, u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos shpenzojnë për krijimin e rezervave ushqimore, pasi që aktualisht në Kosovë ka sasi të mjaftueshme të ushqimeve dhe se të gjith dyqanet janë duke punuar me kapacitete të plota.

Lamir Thaçi, zëdhënës në Agjencinë e Veterinës dhe Ushqimit të Kosovës, i tha Radios Evropa e Lirë se asnjë autoritet i asnjë shteti nuk ka nxjerrë ndalesë të importit apo qarkullimit tregtar të produkteve ushqimore, për shkak se nga të gjitha hulumtimet që janë realizuar deri më tani, nuk është vërtetuar që ekziston mundësia e bartjes së virusit përmes produkteve ushqimore.

“Ne do t’i përcjellim të gjitha zhvillimet që po ndodhin në vendet tjera dhe jemi në kontakt me autoritetet e ushqimit të Bashkimit Evropian dhe organizatën botërore të ushqimit dhe të gjitha vendimet që do të merren nga ta, ne në të njëjtën kohë do t’i aplikojmë. Por, qarkullimi në gjitha vendet tani është duke u realizuar dhe nuk ka masa ndalese”, tha Thaçi.

Në gjithë botën nga ky virus tashmë janë infektuar mbi 121 mijë persona, prej të cilëve mbi 4.300 kanë vdekur, ndërkohë që rreth 66,000 janë shëruar.

Koronavirusi i ri përcillet me temperaturë, koll të thatë dhe probleme me frymëmarrje. Ai për herë të parë është raportuar të jetë shfaqur në Kinë.

XS
SM
MD
LG