Ndërlidhjet

KQZ konfirmon: Zgjedhjet në Podujevë mbahen të dielën


Foto arkivi

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në Komunën e Podujevës do të mbahen të dielën, më 15 mars, 2020, ashtu siç ishte planifikuar më herët, bënë të ditur zyrtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Valmir Elezi, zëdhënës në këtë komision, tha në një konferencë për media se pas masave që ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës të mërkurën, për parandalimin e koronavirusit, KQZ-ja ka komunikuar me institucionet përgjegjëse lidhur me masat që duhet t'i ndërmarrë ajo si institucion që i organizon zgjedhjet.

Ai tha se janë pranuar disa rekomandime nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë në Kosovë, që duhet të ndërmerren gjatë ditës se votimit në qendrat e votimit.

"Këto rekomandime, KQZ-ja do t'i përcjellë te menaxherët e qendrave të votimit, anëtarët e këshillave të vendvotimeve dhe stafi tjetër që do të angazhohet në këto zgjedhje", tha Elezi, duke mos dhënë më shumë detaje për to.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në Podujevë pasojnë dorëheqjen e Agim Veliut nga pozita e kryetarit të komunës, pas emërimit të tij ministër i Punëve të Brendshme.

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim të mërkurën që të pezullohet mësimi në shkollat e të gjitha niveleve, në përpjekje për të penguar përhapjen e koronavirusit.

Të enjten është marrë vendim edhe për pezullimin e linjave ajrore dhe tokësore nga disa vende të Evropës.

Kosova dhe Mali i Zi janë aktualisht vendet e vetme në Ballkanin Perëndimor që nuk kanë raste të regjistruara me koronavirus.

Të tjera në këtë temë:

XS
SM
MD
LG