Ndërlidhjet

BQK: Nuk ka rritje të kërkesës për para të gatshme


Ilustrim.
Ilustrim.

Sistemi bankar në Kosovë është duke funksionuar normalisht dhe nuk vërehet ndonjë rritje e kërkesës për para të gatshme, për shkak të shpalljes së pandemisë së shkaktuar nga koronavirusi, thonë zyrtarë të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) dhe të disa bankave komerciale.

Kushtrim Ahmeti, zëdhënës në BQK, në një përgjigjje për Radion Evropa e Lirë, tha se “për momentin, gjithçka është duke u zhvilluar normalisht, bankat kanë likuiditet të mjaftueshëm dhe se çështja e sistemit të pagesave është duke rrjedhur normalisht”.

Edhe liriana Tahiri, menaxhere në Zyrën për marrëdhënie me publikun në "Raiffaisen Bank” i tha Radios Evropa e Lirë, se “nuk është vërejtur ndonjë dallim nga numri i tërheqjeve që klientët i kanë bërë gjatë një dite të zakonshme, para se të krijohej situata e tanishme”.

“Çdo gjë është duke funksionuar normalisht sa u përket shërbimeve bankare si dhe shfrytëzimit të tyre nga ana e klientëve” tha Tahiri .

Pas situatës së krijuar nga koronavirusi i ri, Tahiri ka thënë që qytetarët janë inkurajuar që të përdorin sa më shumë kartelat dhe shërbimet elektronike bankare.

Të mërkurën është bërë e ditur se në Austri janë rritur kërkesat për para të gatshme.

Guvernatori i Bankës Kombëtare të Austrisë, Robert Holzmann, tha se austriakët tërhqin deri në 600 milionë euro në ditë para të gatshme.

Holzmann tha se rreth 9,000 bankomate në gjithë Austrinë mbushen çdo ditë dhe nëse në një bankomat mungojnë paratë, “ai do të mbushet ditën pasuese”.

Për lajmet e reja rreth koronavirusit përcilleni edhe blogun e drejtpërdrejtë të Radios Evropa e Lirë.

XS
SM
MD
LG