Ndërlidhjet

Maqedonia e Veriut, një hap afër anëtarësimit zyrtar në NATO


Presidenti maqedonas, Stevo Pendarovski.
Presidenti maqedonas, Stevo Pendarovski.

Presidenti i Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski, nënshkroi instrumentin për pranimin e këtij shteti në NATO, i cili njëherësh përbën hapin e fundit për anëtarësim në Aleancën veriatlantike.

Me këtë dokument, presidenti maqedonas deklaron se Republika e Maqedonisë së Veriut po aderon në Traktatin e Atlantikut të Veriut dhe është e angazhuar të zbatojë të gjitha dispozitat e përfshira në këtë marrëveshje.

"Ky është akti i fundit politik me të cilin vendi ynë i bashkohet zyrtarisht NATO-s. Vlen të investohet sepse ne u sigurojmë brezave tanë të ardhshëm stabilitet, siguri dhe prosperitet më të madh ", ka deklaruar presidenti Pendarovski para qytetarëve, pas nënshkrimit të dokumentit.

Veprimi i Pendarovskit pason ftesën për anëtarësim që kishte nisur Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Më parë instrumenti i ratifikimit është firmosur edhe nga Ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov.

Këtij akti i ka paraprirë ratifikimi i protokollit nga vendi i fundit, Spanja, parlamenti i të cilit në mënyrë elektronike miratoi protokollin pas situatës së krijuar me përhapjen e koronavirusit.

XS
SM
MD
LG