Ndërlidhjet

BE-ja përgëzon qeverinë për masat e marra kundër koronavirusit


Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, Nataliya Apostolova.
Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, Nataliya Apostolova.

Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, Nataliya Apostolova ka thënë se BE-ja do t’i ndihmojë Kosovës për të kaluar atë që e ka cilësuar si periudhë të vështirë, pas përhapjes së koronavirusit.

Përmes një postimi në rrjetin social, Twitter, Apostolova, ka thënë se ka zhvilluar bisedë telefonike me ministrin e Shëndetësisë në Kosovë, Arben Vitia.

Përgjatë bisedës, shefja e zyrës së BE-së në Prishtinë, është thënë të ketë përgëzuar ministrin Vitia dhe qeverinë për masat që kanë marrë deri më tani me qëllim të parandalimit të përhapjes së koronavirusit të ri.

Deri më tani në Kosovë është raportuar për 22 persona të prekur me këtë sëmundje.

Qeveria e Kosovës ka shpallur gjendje emergjente për shëndetin publik.

Të premten, Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se i ka urdhëruar institucionet publike stomatologjike në Kosovë që të punojnë vetëm në raste urgjente.

Me masat e reja urdhërohen të ndërpresin punën edhe institucionet private spitalore që ofrojnë shërbime për rehabilitim fizikal dhe klimatik dhe shërbime të terapisë fizikale me rehabilitim (Banja e Kllokotit, Nëna Naile dhe Onix Spa).

“Urdhërohen menjëherë të ndërpresin punën të gjitha institucionet shëndetësore private jashtëspitalore në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, si ambulancat stomatologjike, ambulancat e terapisë fizikale dhe ambulancat specialistike të mjekësisë fizikale”, është thënë po ashtu në njoftim.

Për të rejat e fundit rreth koronavirusit në botë, përcilleni blogun e Radios Evropa e Lirë.

XS
SM
MD
LG