Ndërlidhjet

Kurti heq pjesërisht taksën


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për heqjen e tarifës për importin e lëndës së parë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shkruar në Facebook se “u votua me 10 vota për dhe 2 abstenime vendimi për të liruar nga tarifa 100% importin e lëndës së parë nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina”.

Ai ka sqaruar se nga mesnata do të hapen gjashtë pikat kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, 1, 31, 3, 4, 5 dhe 6, për importimin e lëndës së parë. Kurse, deri më 1 prill Qeveria e Kosovës do të nxjerrë një vendim tjetër për vënien e masave të reciprocitetit në vend të tarifës 100%.

Vendimi i qeverisë dhe kryeministrit Albin Kurti, paraqet hapin e parë drejt shfuqizimit të plotë të tarifës 100 për qind ndaj importeve nga Serbia e Bosnje e Hercegovina që pason edhe thirrjet e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.

Në harmoni me kërkesën e SHBA-së dhe BE-së, është edhe ajo e LDK-së, parti brenda koalicionit aktual qeverisës që ka kërkuar heqjen, jo të pjesshme, por të plotë të tarifës.

LDK është në proces të nxjerrjes në votim të mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë, të cilës i përket edhe vetë, me kërkesën për rrëzimin e saj me votat e Kuvendit, përkatësisht opozitës.

Tarifën 100 për qind e kishte vendosur qeveria e kaluar e Kosovës, e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, në nëntor të vitit 2018. Që nga ajo kohë, dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë ishte ndërprerë, çka edhe u pasua me kërkesat e vazhdueshme të Uashingtonit e Brukselit për heqjen e kësaj mase.

Ndër të parët që ka reaguar dhe kundërshtuar vendimin e qeverisë Kurti, ishte ish-kryeministri Ramush Haradinaj, i cili nga fillimi ka qenë kundër shfuqizimit të tarifës.

"Qeveria në largim nuk mundi të ikë pa e hequr taksën! Në pikën 1 hiqet taksa për lëndën e parë kurse në pikën 3 të vendimit obligon veten për heqje të plotë të taksës me 1 prill. Me këtë e zhvlerësoi kundërvlerën për marrëveshjen finale dhe e humbi plotësisht kreditin te partnerët ndërkombëtarë, e posaçërisht te SHBA-ja. Ashtu si e kishte fillimin e turpshëm, Qeveria në ikje gjithashtu po largohet me turp", ka thënë ai përmes një postimi në rrjetin social, Facebook.

Në planin e Kurtit, tarifa për lëndën e parë do të duhej të hiqej qysh më 15 mars, por edhe atëherë, partia partnere në koalicionin qeverisës, Lidhja Demokratike e Kosovës nuk ishte pajtuar, duke insistuar që tarifa të shfuqizohet në tërësi.

Kurti kishte deklaruar se nëse Serbia ndal fushatën për çnjohje dhe zotohet për heqjen e barrierave jotarifore, brenda 15 ditëve, taksa do të hiqej për një periudhë 90 ditëshe. Nëse Serbia nuk i përmbahet këtyre zotimeve, sipas Kurtit, nga 15 qershori, do të rivendosej taksa 100 për qind dhe do të zbatohet parimi i reciprocitetit.

Megjithatë, Shtetet e Bashkuara kanë kundërshtuar këtë plan, duke kërkuar heqjen e tarifës pa kushte. Madje, i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell e kishte cilësuar “gabim serioz” nëse Kosova heqë taksën pjesshëm, ashtu siç ka propozuar Kurti.

Zyrtarët në SHBA po ashtu paralajmëruan tërheqjen e trupave amerikane nga Kosova, nëse qeveria në Prishtinë nuk heq tarifat pa kushte.

Ishte senatori amerikan, David Perdue, i cili tha se nëse Kosova nuk heq taksën, SHBA-ja duhet ta shqyrtojë mundësinë e tërheqjes së trupave nga Kosova.

Largim i taksës apo trupave amerikane?
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:03:39 0:00

“Për më shumë se dy dekada, forcat amerikane kanë ndihmuar në ruajtjen e paqes mes Kosovës dhe Serbisë. Tani, me përparimin e bërë historik, Kosova duhet të bëjë pjesën e vet dhe të shfuqizojë të gjitha tarifat e vendosura ndaj Serbisë. Nëse Kosova nuk është plotësisht e përkushtuar për paqe, atëherë SHBA-ja duhet të rishqyrtojë praninë e saj atje”, pati shkruar senatori Perdue.

Kjo deklaratë e senatorit Perdue u mbështet nga i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell dhe nga zyrtarë të tjerë amerikanë.

Po ashtu, Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit të Qeverisë së SHBA-së (MCC), konfirmoi më 13 mars se ka pezulluar programe të zhvillimit ekonomik për Kosovën.

XS
SM
MD
LG