Ndërlidhjet

Ministria e Jashtme u kërkon kosovarëve kthim vetëm në raste urgjente


Prishtina natën vonë.
Prishtina natën vonë.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit, që vetëm në rastet urgjente të paraqiten në ambasadat dhe konsullatat e këtij shteti për t’u përfshirë në listën e kthimit.

Në një komunikatë për media është thënë se si pasojë e përhapjes së koronavirusit të ri, kosovarët që arrijnë në territorin e Kosovës përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës apo kufijve tokësorë, do të dërgohen në karantinë për 14 ditë.

Të premten në Kosovë kanë arritur rreth 96 shtetas këtij vendi, të cilët janë kthyer nga Duseldorfi i Gjermanisë.

Të gjithë të kthyerit janë dërguar në Qendrën e Studentëve në Prishtinë, e cila së fundmi, me kërkesë të Qeverisë së Kosovës, është shndërruar në karantinë.

Ndërkohë autoritetet kanë bërë të ditur se rreth 850 qytetarë janë lajmëruar në ambasadat që Kosova ka në botë me kërkesë për rikthim.

Aktualisht në Kosovë është raportuar për 24 persona të infektuar me koronavirusin e ri.

  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins në gjithë botën, në total janë: 266,115 njerëz të infektuar, 11,153 të vdekur dhe 87,363 të shëruar.
  • Kina ka 81,250 raste me koronavirus, pas saj vjen Italia me 41,035 raste dhe Irani me 18,407.
  • Numri më i madh i njerëzve të vdekur është në Itali: 4,032.

Për të rejat e fundit rreth koronavirusit në botë, përcilleni blogun e Radios Evropa e Lirë.

XS
SM
MD
LG