Ndërlidhjet

Shpallet orë policore në Maqedoninë e Veriut


Ilustrim.
Ilustrim.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka shpallur orë policore në gjithë territorin e këtij vendi në kuadër të masave për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

Ora policore hyn në fuqi nga e diela, prej otës 21:00 deri në orën 6:00 të mëngjesit.

Kryeministri maqedonas, Oliver Spasovski tha se ky është një nga vendimet më të vështira që është marr që nga pavarësimi i vendit, por është një vendim i rëndësishëm dhe thelbësor për ruajtjen e jetës së qytetarëve.

“Është shumë me rëndësi që çdonjëri prej nesh t’i përshtatet situatës shumë shqetësuese në të cilën gjendemi. Të bëjmë gjithçka për sjellje të përgjegjshme. Nga çdo individ dhe çdo subjekt kërkojmë që të jetë pjesë e kësaj beteje të përbashkët. Nëse duam që të mbrojmë kombin, të gjithë duhet të sillemi me përgjegjësi në këtë situatë të jashtëzakonshme në të cilën gjendemi. Bëhet fjalë për ekzistencën e qytetarëve tanë, të mbijetesës së sistemit tonë ekonomik, andaj ju ftoj të gjithëve që të jeni në krye të detyrës”, ka deklaruar kryeministri Spasovski në një paraqitje të jashtëzakonshme para qytetarëve.

Gjatë orës policore do të lëvizin vetëm pjesëtarët e forcave të sigurisë, punonjësit e shërbimeve kujdestare të ndërmarrjeve publike, si dhe qytetarët të cilët duhet të kenë leje të vecantë apo udhëzime mjekësore për trajtime shëndetësore.

Ministria e Shëndetësisë njoftoi gjatë ditës të shtunës se janë regjistruar edhe 9 raste të reja me Covid-19 duke e çuar numrin e të infektuarve me koronavirus në 85. Raste me koronavirus deri më tani janë regjistruar në Shkup, Dibër, Shtip, Kavadar, Gostivar dhe Ohër.

“Pacienti i vetëm që është nën aparat të frymëmarrjes, është në fazë kritike. Të gjithë pacientët e tjerë janë në gjendje të qëndrueshme. Të gjithë pacientët që po i nënshtrohen trajtimit shtëpiak janë në kontakt të vazhdueshëm me klinikat”, ka bërë të ditur Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.

Në vetizolim janë mbi 4 mijë persona ndërsa qeveria ka njoftuar se në dispozicion të personave të prekur janë vendosur të gjitha objektet shtetërore, por edhe hotele.

Ministria e Punëve të Jashtme ka bërë të ditur se 2,300 shtetas të Maqedonisë së Veriut janë të bllokuar në shtete tjera dhe se për evakuimin e tyre nga e hëna do të organizohen fluturime humanitare me qëllim kthimin e tyre në vend dhe vendosjen në karantinë si masë për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

XS
SM
MD
LG