Ndërlidhjet

Xi, Trumpit: Kina ka qenë transparente rreth koronavirusit


Presidenti amerikan, Donald Trump dhe ai kinez, Xi Jinping.
Presidenti amerikan, Donald Trump dhe ai kinez, Xi Jinping.

Presidenti kinez, Xi Jinping ka telefonuar homologun e tij amerikan, Donald Trump, pasi është bërë e ditur që Shtetet e Bashkuara janë kthyer në epiqendër të përhapjes së koronavirusit.

Sipas mediave kineze, Xi ka thënë se Kina dhe SHBA-ja “duhet të bashkohen në luftën kundër virusit”.

Ai po ashtu ka insistuar që Pekini ka qenë gjithmonë transparent rreth shpërthimit fillestar të virusit- duke hedhur poshtë pretendimet e bëra nga Trump që kinse Kina e ka njoftuar botën shumë vonë për koronavirusin.

Presidenti kinez po ashtu ka thënë t’i ketë ofruar mbështetje SHBA-së dhe se shpreson që Uashingtoni do të marrë masa për të ruajtur shëndetin e shtetasve kinezë në tokën amerikane.

Kina deri më tani ka nisur ndihmë në dhjetëra vende evropiane, aziatike dhe afrikane, të cilat po përballen me rritje e sipër të numrit të të infektuarve me sëmundjen Covid-19, që shkakton koronavirusi i ri.

Fillimisht për këtë virus ishte raportuar në Vuhan të Kinës, në dhjetor të vitit të kaluar, ndërkohë që para SHBA-së, Italia ka qenë vendi i prekur më së keqi nga ky virus, meqë deri më tani është raportuar për 8,215 persona të vdekur.

Aktualisht në Shtetet e Bashkuara është thënë të jenë prekur nga kjo sëmundje mbi 85,991, derisa 1,296 kanë vdekur.

Për lajmet e fundit rreth koronavirusit vizitoni blogun e Radios Evropa e Lirë.

XS
SM
MD
LG