Ndërlidhjet

Dy viktima të reja nga COVID-19 në Shqipëri


Ilustrim
Ilustrim

Gjatë orëve të mbrëmjes të së enjtes dhe në mëngjesin e së premtes kanë ndërruar jetë dy pacientë – një 85 vjeçare nga Tirana dhe një 66-vjeçar nga Fieri të konfirmuar me COVID-19 në spitalin infektiv të Tiranës.

Dy viktimat e radhës nga virusi vdekjeprurës e çojnë në 8 numrin e personave që kanë ndërruar jetë nga koronavirusi.

Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico, duke informuar mbi situatën e COVID-19 në Shqipëri, bëri me dije se në 24 orët e fundit janë testuar 102 persona të dyshuar, prej të cilëve janë konfirmuar 12 raste të reja me COVID-19.

Deri në këto momente janë testuar 1246 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 186 raste.

“Ju bëjmë me dije se vazhdon puna në terren për identifikimin e rasteve të reja dhe gjurmimin e kontakteve të rasteve të konfirmuara pozitive. Epidemiologët në çdo njësi vendore të kujdesit shëndetësor nga veriu në jug, janë në terren dhe po bëjnë një punë të jashtëzakonshme për të identifikuar në kohë kontaktet, pas verifikimit të rasteve të dyshuara”, tha Fico.

Ajo bëri me dije se në Shërbimin Infektiv aktualisht janë 77 të shtruar dhe prej tyre 5 janë në terapi intensive.

“Pjesa tjetër e të shtruarve në pavion janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente”, shtoi Fico.

Harta e të prekurve nga COVID-19 është shtrirë tashmë edhe në Pukë dhe zgjerohet në Tiranë, Korçë, Fier, Shkodër dhe Durrës.

“Përveç rasteve të zbuluar për të cilat po kryhet hetimi epidemiologjik dhe ku po punohet me shumë intesitet nga epidemiologët për gjurmimin e kontakteve të rasteve pozitive dhe ndërprerjen e zinxhirit të transmetimit të infeksionit”, bëri të ditur zonja Fico.

Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive në Shqipëri:

- Tiranë 107 raste

- Durrës 11 raste

- Lushnje 4 raste

- Elbasan 5 raste

- Rrogozhinë 2 raste

- Fier 20 raste

- Kavajë 4 raste

- Korçë 12 raste

- Vlorë 5 raste

- Shkodër 4 raste

- Lezhë 4 raste

- Berat 1 rast

- Has 2 raste

- Krujë 1 rast

-Tropojë 2 raste

- Pukë 2 raste

Në anën tjetër, Qeveria e Shqipërisë ka shpallur gjendjen e fatkeqësisë natyrore në të gjithë vendin për shkak të koronavirusit. Gjendja do të zgjasë për një periudhë 30 ditore nga dita e martë kur hyri në fuqi, pas botimit të menjëhershëm në Fletoren Zyrtare, por ajo mund të zgjatet më shumë nëse është e nevojshme.

Si shpërndahet COVID-19 dhe si ta mbroni veten kundër tij?

Të gjitha veprimet dhe masat do të koordinohen nga Komiteti Ndërministror i Emergjencave Civile, i ngritur më parë me qëllim përballimin e fatkeqësisë së tërmetit të 26 nëntorit dhe i drejtuar nga kryeministri Rama.

Sipas këtij vendimi, me shpalljen e gjendjes së fatkeqësive natyrore, kufizohen të drejtat të garantuara nga nenet 37, 38, 41, pika 4, 49 dhe 51 të Kushtetutës deri në masën që konsiderohet e domosdoshme për të arritur ruajtjen e shëndetit të shtetasve.

Shqipëria ndodhet në fund të javës së dytë të karantinimit total me urdhër të qeverisë.

Kjo situatë megjithatë e ka krijuar një unitet politik nga të gjitha anët në vend, me presdentin dhe opozitën që kanë përshëndetur dhe përkrahur vendimet e marra nga kryeministri Edi Rama.

XS
SM
MD
LG