Ndërlidhjet

Lajme

Kryeministri britanik duhet të vazhdojë vetizolimin

Kryeministri britanik, Boris Johnson, duke punuar nga shtëpia.
Kryeministri britanik, Boris Johnson, duke punuar nga shtëpia.

Kryeministri britanik, Boris Johnson, do të mbetet i vetizoluar, pasi vazhdon të ketë simptoma të koronavirusit, përfshirë temperaturë.

Johnson ka dalë pozitiv në testin për koronavirus të premten e kaluar dhe është dashur të dalë sot nga vetizolimi.

“Edhe pse ndjehem më mirë dhe i kam kaluar shtatë ditët e izolimit, vazhdoj të kem simptoma të lehta”, tha Johnson në një video të postuar në Twitter.

“Kam ende temperaturë, kështu që në përputhje me këshillat e qeverisë, duhet të vazhdoj izolimin tim derisa të kalojë kjo simptomë”, shtoi Johnson.

Ai vazhdon të punojë nga shtëpia dhe, mëngjesin e së premtes, ka kryesuar një takim për koronavirusin.

Johnson po ashtu u bëri thirrje qytetarëve britanikë që të mos dalin nga shtëpitë.

Britania, si edhe vende të tjera të botës, po përballet me një koronavirus, që shkakton sëmundjen e njohur si COVID-19.

Distancimi fizik është cilësuar si masë për frenimin e përhapjes së sëmundjes, e cila deri më tash ka vrarë mbi 54,000 njerëz në gjithë botën.

XS
SM
MD
LG