Ndërlidhjet

Shkollat i kthehen mësimit online në kohë të pandemisë


Ilustrim

Mësuesja Liridona Mustafa është një nga shumë mësueset në Kosovë që i mëson fëmijët përmes metodave online. Ajo përdor softuerin Zoom për të komunikuar më nxënësit e saj të klasës së pestë të shkollës fillore “Meto Bajraktari” në Prishtinë.

Këtë mësim ajo e bën krahas mësimit që fëmijët e shkollave fillore marrin përmes televizionit publik, RTK.

Kjo metodë ka filluar të aplikohet në Kosovë dhe në shumë vende të botës që kur filloi përhapja e COVID-19 dhe filloi mbyllja e shkollave.

“Unë jam shumë optimiste që mësimi online do të ketë efektin e duhur, pavarësisht vështirësive që kemi hasur derisa e kuptuan të gjithë mënyrën e funksionimit, gjithsesi e rëndësishme është pjesëmarrja e të gjithë nxënësve,” thotë Mustafa për Radion Evropa e Lirë.

“Përmes aplikacionit ‘’Zoom’’ të gjithë nxënësit kanë mundësinë të shprehin paqartësitë që i kanë, bëhen teste online në lidhje me ato njësi të cilat shpjegohen dhe besoj që ka anën shumë pozitive. Përveç këtyre është një mënyrë pak më atraktive se ajo e zakonshme dhe po e shoh që po ngjallë shumë kureshtje tek nxënësit,” tha Mustafa.

Zoom është një aplikacion që mund të instalohet në telefona të mençur dhe kompjuterë ku më shumë se dy persona mund të komunikojnë përmes kamerës së zërit. Ky aplikacion është duke u përdorur në shumë vende të botës për mësime online përkundër disa paralajmërimeve se mund të mos jetë komunikim i sigurt.

Mësimet transmetohen në transmetuesit publik

Institucionet shkollore në Kosovë janë mbyllur nga data 12 mars, pas masave që kishte marrë Qeveria e Kosovës për parandalimin e përhapjes së virusit të ri COVID-19.

Ministria e Arsimit vendosi që përmes kanalit televiziv publik. RTK, të transmetojë mësime për nxënësit e ciklit të ulët dhe të lartë fillor, nga klasa e parë në të 9-tën.

Por sa efektiv është mësimi online?

Eksperti i arsimit, Dukagjin Pupovci, thotë për Radion Evropa e Lirë, se sa efektiv është mësimi online shihet atëherë kur do të kenë kontakt të drejtpërdrejt mësimdhënësit me nxënës.

“Në mungesë përvoje, jo vetëm në Kosovë, por edhe në vendet tjera, nuk mund të thuhet asgjë për efektet e mësimit online te nxënësit. Nuk e dimë sa janë duke i përcjellë nxënësit videot që po transmetohen në kanale televizive dhe sa janë duke punuar në përmbushjen e detyrave. Kjo do të kuptohet vetëm atëherë kur të jetë vendosur kontakti i drejtpërdrejtë në mes të nxënësve dhe mësimdhënësve,” tha Pupovci.

Pupovci shton se mësimi online duhet të vazhdojë dhe se nëse kjo situatë vazhdon, duhet të punohet në këtë drejtim që komunikimi mësimdhënës-nxënës të jetë i organizuar dhe i monitoruar, e jo çështje e iniciativave personale të disa mësimdhënësve ose drejtorëve entuziastë.

Pagë shtesë për mësuesit e platformës online

Arta Gashi, prind i një nxënësi të klasës së pestë thotë se mësimi në asnjë rrethanë, nuk duhet të ndërpritet.

“Edhe në kohë më të vështira, gjatë uzurpimeve të mjediseve shkollore në vitet e 90-ta, mësimdhënësit shqiptarë kanë gjetur forma për të vazhduar rrugën e nxënies për më të vlefshmit e tyre, nxënësit dhe studentët. Tash po përballemi me një rrezik të një tjetër armiku të padukshëm. Mësuesit përsëri gjetën rrugëdalje në këtë sfidë duke u mësuar fëmijëve që mësimi nuk duhet ndaluar as atëherë kur humbet mundësia, as atëherë kur ndalet drita, as atëherë kur s'kemi bankë dhe tabelë”, tha ajo.

Qeveria e Kosovës ka marrë vendimin për Pakon Mbështetëse për realizimin e mësimit në distancë. Mësimdhënësit të cilët do të përfshihen drejtpërdrejt në përgatitjen dhe prodhimin e video-materialeve mësimore për klasat 1-9 do të paguhen nga 150 deri në 300 euro në muaj për muajt mars, prill dhe maj.

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG