Ndërlidhjet

Kosova në përpjekje të fillojë mësimin online


Një djalë në Britani të Madhe, duke ndjekur mësimin online, për shkak të koronavirusit. 11 mars, 2020.
Një djalë në Britani të Madhe, duke ndjekur mësimin online, për shkak të koronavirusit. 11 mars, 2020.

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në Qeverinë e Kosovës është duke bërë përpjekje për të filluar mësimin online, pas gjendjes së krijuar nga përhapja e koronavirusit të ri.

Institucionet shkollore në Kosovë janë mbyllur nga data 12 mars, pas masave që kishte marrë Qeveria e Kosvës për parandalimin e përhapjes së viursit të ri që përcillet me sëmundjen, COVID-19.

Hykmete Bajrami, ministre e Arsimit, Shkencës Teknologjisë dhe Inovacionit, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, tha se janë duke u munduar që të fillojnë më mësimin online, por që ka vështirësi të mëdha në këtë proces.

“Kemi vështrësi të shumta pasi që ekzistojnë platforma të ndryshme dhe përmbajtje të ndryshme në pronësi të operatorëve ekonomikë të ndryshëm të cilat është problem t’i harmonizojmë dhe t’i bëjmë të qasshme për shembull për arsimin fillor, ku i kemi rreth 250 mijë nxënës”.

“Secilën platformë që ne po e shqyrtojmë ka kapacitete vetëm deri në 10 mijë kyçje. Jemi duke biseduar edhe me ekspertë të arsimit që përmbajtjet t’i harmonizojmë dhe të punojmë në paltforma që kanë mundësi që të përballojnë kapacitete më të mëdha”, tha Bajrami.

Çfarë duhet të dini për koronavirusin e ri?

Rinor Qehaja, drejtor në Institutin për Studime të Arsimit “EdGuard”, thotë për Radion Evropa e Lirë se mësimi online paraqet një zgjidhje që institucionet tona duhet të kenë parasysh.

“Nëse zhvillohet dhe zbatohet në mënyrë të centralizuar – sikurse besoj që edhe është qëllimi i MASHTI – atëherë mund të kemi një risi për t'u mirëpritur në këtë situatë. Besoj që Kosova ka infrastrukturë të mjaftueshme teknologjike për mësim online, por jo domosdoshmërisht resurse të përgatitura metodologjikisht për zbatim të saj", thotë Qehaja.

Qehaja shton se është me rëndësi të kuptohet konteksti socio-ekonomik i familjeve në Kosovë dhe pamundësinë që të gjithë të kenë qasje ose qasje të limituar në mësimet online.

“Andaj, duke shpresuar që kjo situatë emergjente të tejkalohet sa më parë, uroj shumë që mësimi online të tërheqë vëmendjen me atraktivitet në mësimdhënie e jo në obligueshmëri në pjesmarrje”, tha Qehaja.

Ministrja Bajrami thotë se vështirësitë janë të shumta, pasi që asnjëherë më parë në Kosovë nuk është praktikuar mësimi online dhe që sipas saj, çdo gjë duhet filluar nga zeroja.

Megjithatë, ajo shton se përpjekjet nuk po mungojnë dhe se takimet janë të vazhdueshme për mundësinë e praktikimit të mësimit online.

“Nuk mund të jap afat se kur mund të fillohet, është problematike të japim datë, besoj që shumë shpejtë do të fillojmë me diçka. Nxënësit prindërit, arsimatrët do të informohen shumë shpejtë”, tha Bajrami.

Në Kosovë, tashmë janë shënuar rastet e para me koronavirus.

Qeveria e Kosvës ka marrë masa të shumta parandaluese, ndërkohë që ka shpallur emergjencë për shëndetin publik.

XS
SM
MD
LG