Ndërlidhjet

Thirrje mediave në Kosovë të përmbahen nga nxitja e tensioneve


Mitrovicë e Veriut, 3 prill 2020
Mitrovicë e Veriut, 3 prill 2020

Federata Evropiane e Gazetarëve, ka ftuar gazetarët në Kosovë, që të përmbahen nga nxitja e tensioneve, gjatë raportimit mbi krizën në shëndetësi.

Duke e cilësuar raportimin mbi karantinën e vendosur në Mitrovicën e Veriut si joetik dhe dëshmi të ndikimit politik në disa media në Kosovë, Federata ka veçuar Radio Televizionin e Kosovës dhe agjencinë e lajmeve "Sinjali".

Në rastin e parë, Federata tha se “deklarimet pa mbështetje dhe pyetjet provokative gjatë raportimit nga Mitrovica e Veriut...rrezikojnë të nxisin tensione ndërmjet komunitetit serb dhe atij shqiptar”.

Për agjencinë e lajmeve "Sinjali" ndërkaq, Federata pohon se ka publikuar emrat, adresat dhe datat e lindjes të 210 qytetarëve të vendosur në karantinë në Mitrovicën e Veriut dhe qytete tjera, që të gjithë të përkatësisë serbe ose rome.

Ushtruesi i detyrës së kryeredaktorit të Radio Televizionit të Kosovës, në RTK 3, Ridvan Berisha, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se raportimi nga pjesa veriore e Kosovës, nuk është raportim i rendomtë, për shkak të mungesës së sigurisë.

“E para RTK, nuk ka shpifur. A ka vend për diskutim se a ka qenë emocional apo jo raporti në rrethanat kur raportimi nga veriu i Kosovës nga ana e gazetarëve shqiptarë [nuk është i rendomtë]?”, thotë Berisha, duke përmendur këtu edhe një sulm të raportuar ditë më parë, ndaj një ekipi gazetarësh të portalit Blic në Mitrovicën Veriore.

“Edhe gazetarja aty për sa kohë që ka qenë duke raportuar direkt, e ka parë se është rrethuar me agjentë të BIA-s [Agjencia Informative e Sigurisë në Serbi]”, tha Berisha, duke mos dhënë prova ndërkaq për praninë e këtyre agjentëve.

“Nën presion, ndoshta edhe ka mundur të jetë bërë ndonjë lëshim emotiv, por asnjëherë nuk është bërë thirrje për trazira e tensione ndëretnike”, tha Berisha.

Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar edhe gazetën online Sinjali, por deri në publikimin e këtij teksti, nuk ka marrë përgjigje. Federata Evropiane e Gazetarëve në reagimin e saj ka thënë se “Sinjali” ka hequr te dhënat personale nga faqja, pas reagimeve që janë nxitur nga publikimi i tyre.

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, i ka cilësuar “këto publikime në kundërshtim me shumë norma juridike”, duke cituar edhe nenin 36 të Kushtetutës së Republikës, mbi të drejtën e privatësisë.

Kushtetuta e Kosovës e rregullon shumë mirë këtë çështje e në veçanti neni 36 [E Drejta e Privatësisë], Ligji Nr. 06/L-082 Për Mbrojtjen e të Dhënave Personale etj”, thuhet në komunikatë.

Ndryshe, këto zhvillime pasojnë situatën e krijuar pas vendosjes së masave emergjente në komunat e banuara me shumicë serbe në Kosovë, në një vijë me masat që Serbia ka paraparë për vete, për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, i cili shkakton sëmundjen Covid-19.

Menaxhimi i këtyre komunave në kohë pandemie është shndërruar në temë debatesh të rrepta politike edhe në Kosovë: në njërën janë partitë politike në opozitë, të cilat po akuzojnë qeverinë në detyrë se “është duke lejuar ndarjen e Kosovës”. Në anën tjetër është vetë qeveria, e cila pohon se “veriun e kanë ndarë partitë politike që tash janë në opozitë, e që ndër vite kanë pasur pushtetin në dorë.

Në Kosovë, deri më tash janë të konfirmuara 145 raste me Covid-19, përfshirë këtu 1 vdekje dhe 23 të shëruar. Nga radhët e komunitetit serb, janë regjistruar 26 raste, përfshirë 1 vdekje, por nuk ka të dhëna mbi të shëruarit. Komuniteti serb në Kosovë rastet e infektimit i raporton te strukturat e shëndetësisë në Serbi.

XS
SM
MD
LG