Ndërlidhjet

Si është të jesh gazetar në kohën e koronavirusit?


Prishtinë

Në kohën kur e gjithë bota duket se ka ngrirë në vend, mediat gumëzhijnë në përpjekje për të ofruar informacion për publikun mbi koronavirusin dhe dëmet që po shkakton aktualisht.

Por, si është te jesh gazetar sot?

Edhe në Kosovë, komuniteti i gazetarëve po përpiqet të adaptohet në kushte të reja pune.

Shumë nga institucionet, janë duke funksionuar me kapacitet të reduktuar dhe kjo e bën qasjen në informata më të rënduar.

Saranda Rama, gazetare hulumtuese në të përditshmen “Koha Ditore”, tha për Radion Evropa e Lirë se informacionet tjera, përtej atyre që kanë të bëjnë me pandeminë, vështirë sigurohen.

“Është tepër e vështirë të punohet për shkak se institucionet nuk janë në dispozicion për tema më të komplikuara, janë në dispozicion vetëm për çështje të pandemisë, për shkak se është prioritet për secilin institucion sëmundja Covid-19. Është e vështirë që të punohet; ne i kemi bërë disa kërkesa për qasje në dokumente publike dhe ato nuk po trajtohen, pasi stafi është reduktuar dhe është e pamundur që gazetarët të marrin përgjigje, ashtu siç është e përcaktuar me ligj”, tha Rama.

Edhe Dibran Istrefi, gazetar në televizionin T7 në Prishtinë, tha se puna është vështirësuar sa i përket raportimit, pasi që janë krijuar vështirësi në kontaktin me zyrtarë të ndryshëm.

Ai tha se edhe institucionet, të cilat nuk janë në vijën e parë të luftës me koronavirusin, janë pasivizuar dhe se mundësia e qasjes në informacion të shpejtë dhe të saktë është kufizuar.

“Situata e krijuar na e ka vështirësuar punën në masë të madhe, sidomos në gazetarinë televizive, sepse dalja në terren, por edhe kontakti me persona të ndryshëm është i pashmangshëm. Raportimi nga zonat e prekura nga ky virus, por edhe kontakti me banorë e zyrtarë të ndryshëm, gazetarët po i ekspozojnë edhe para rrezikut direkt nga sëmundja COVID-19”, tha Istrefi.

Pa masa mbrojtëse

Kryetarja e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Gentiana Begolli, tha për Radion Evropa e Lirë se gazetarët janë duke punuar pa masa mbrojtjeje.

“Ne e dimë se shumica e kolegëve tanë nuk i kanë të siguruara as masat më elementare mbrojtëse, siç janë maskat apo dorëzat. Kemi pasur raste kur ne jemi kontaktuar si Asociacion që të sigurojmë pajisjet më elementare, mirëpo nuk kemi arritur që t’i sigurojmë ato. Po ashtu, as pronarët e mediave nuk kanë arritur ta bëjnë këtë”, tha Begolli.

Ajo tha se ka shumë gazetarë, të cilëve u është ndaluar hyrja në disa institucione për të përcjellë një ngjarje, për shkak se nuk kanë qenë të pajisur me masat mbrojtëse.

“Gazetarët, tash për momentin, po ballafaqohen edhe me një brengë shtesë elementare. Bëhet fjalë për mbijetesën e tyre nga aspekti material, sepse shumica e kolegëve tashmë janë të rrezikuar, jo vetëm nga ulja e pagave e rreziku i drejtpërdrejtë i pandemisë, por ata ballafaqohen edhe me frikën e humbjes së vendit të punës”, tha Begolli.

Një nga synimet kryesore, sipas saj, është lufta kundër lajmeve të rreme.

“Mos të harrojmë se edhe në rrethana normale, ata shpesh janë privuar të marrin informacione, ka përjashtme, por gazetarët po mundohen që në këtë kohë të pandemisë të mos ketë lajme të rreme dhe të ketë informacione sa më të sakta për popullatën”, tha kryetarja e Asociacionit të Gazetarëve, Gentiana Begolli.

Afrim Kurti, gazetar në televizionin lokal Tema në Komunën e Ferizajt, tha për Radion Evropa e Lirë se këto ditë janë duke punuar vetëm dy gazetarë dhe personeli teknik.

“Kemi vështirësi për të vënë kontakt me zyrtarët apo autoritetet kompetente, të cilat mund të japin informacione më të sakta për zhvillimin e ngjarjeve pas shfaqjes së virusit. Unë, personalisht, punën time në televizion, si shumë gazetarë të tjerë, e kam bartur me realizimin e intervistave përmes linjave telefonike e platformave të ndryshme në internet”, tha Kurti.

Një nga burimet kryesore të financimit të mediave në Kosovë është marketingu.

Në mungesë të tij, duke marrë parasysh gjendjen e ngrirë në ekonomi, disa nga mediat në Kosovë janë detyrar edhe të largojnë nga puna një numër të caktuar gazetarësh.

Ndryshe, edhe Radio Evropa e Lirë, pjesën më të madhe të punës është duke e realizuar nga shtëpitë, në respektim të masave për kufizim qarkullimi. Përjashtim bëjnë ekipet që dalin në terren për të mbledhur informacionet e fundit.

Për lajmet e fundit rreth koronavirusit vizitoni blogun e Radios Evropa e Lirë.

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG