Ndërlidhjet

Guterres kritikon “rritjen e tmerrshme” të dhunës në familje


Shefi i OKB-së, Antonio Guterres.
Shefi i OKB-së, Antonio Guterres.

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, u bëri thirrje qeverive që të veprojnë kundër, siç tha, “rritjes së tmerrshme globale të dhunës në familje”.

Disa shtete në botë kanë raportuar rritje të dhunës së tillë në javët e fundit, si pasojë e izolimeve që ka shkaktuar shpërthimi i koronavirusit.

Duke iu referuar thirrjes së tij të fundit për armëpushim në konflikte, Guterres tha se dhuna nuk ndodh gjithmonë në fushat e betejës.

“Për shumë gra dhe vajza, kërcënimi është më i madh atje ku duhet të jenë më të sigurta: në shtëpitë e tyre”, tha Guterres.

Kombet e Bashkuara kanë thënë se, që nga shpërthimi i koronavirusit në fillim të vitit, abuzimet në familje janë dyfishuar në vendet si Libani dhe Malajzia, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Në Kinë, kjo shifër është trefishuar.

Guterres tha se abuzimi është rritur si pasojë e streseve ekonomike dhe sociale që ka sjellë situata e krijuar me koronavirus.

“Së bashku, ne mundemi dhe duhet ta parandalojmë dhunën kudo, nga zonat e luftës deri te shtëpitë e njerëzve”, tha Guterres.

Koronavirusi, që e shkakton sëmundjen COVID-19, ka prekur mbi 1.2 milion njerëz në gjithë botën, ndërsa ka vrarë afro 70,000.

Për të frenuar përhapjen e tij, shumë vende janë izoluar, duke mbyllur apo zvogëluar aktivitetin e kompanive të prodhimit – gjë që ka nxitur shqetësime për situatën ekonomike.

XS
SM
MD
LG