Ndërlidhjet

Zaev dhe Mickoski vendosen në izolim 14 ditësh


Zoran Zaev i Lidhjes Social-Demokrate të Maqedonisë dhe Hristian Mickoski i VMRO DPMNE-së 

Dy liderët e dy partive më të mëdha maqedonase, ai i Lidhjes Social-Demokrate të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe VMRO DPMNE-së Hristian Mickoski, janë vendosur në izolim 14 ditësh për shkak se kanë pasur kontakt me një gazetar që tashmë ka rezultuar pozitiv me koronavirus, ka bërë të ditur të premten ministrisë i Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut Venko Filipçe, në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe tha se gjendja e gazetarit të infektuar me koronavrus është stabile dhe i njejti është i shtrirë në spitalin "8 Shtatori" në Shkup.

“Zoran Zaev dhe Hristian Mickoski nga sot janë në izolim të detyrueshëm në shtëpitë e tyre pas informacioneve që mori Ministria e Shëndetësisë se një gazetar ka rezultuar pozitiv me virusin COVID-19 dhe i njëjti gjatë javës së kaluar ka pasur intervista televizive edhe me Zoran Zaevin dhe Hristian Mickoskin”, ka theksuar ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe.

Ai njëhërësh ka bërë të ditur se pas realizimit të testit për Covid-19 Mickoski ka rezultuar negativ ndërsa rezultatet për Zaevin pritet të vijnë gjatë ditës, por që të dy do të ndodhen në vetizolim të detyrueshëm shtëpiak gjatë 14 ditëve.

Menjëherë pas kësaj, në profilin e tij në Facebook, lideri i LSDM-së Zoran Zaev ka shkruar se për momentin ndihet mirë dhe se është në pritje të rezultateve të testit nga koronovarisi.

“Dëshiroj t’ju informoj se gjatë javës së kaluar kam pasur një intervistë në TV me një gazetar, i cili kohët e fundit ka rezultuar pozitiv me COVID-19. Megjithëse gjatë intervistës kemi marrë të gjitha masat mbrojtëse siç është shmangia e kontaktit dhe ruajtja e distancës, sipas të gjitha protokolleve, që nga sot unë jam në izolim në shtëpinë time në Strumicë".

"Nuk kam simptoma, sot jam testuar për praninë e virusit dhe presim rezultatet gjatë ditës – pas së cilës do të përcaktohen hapat e ardhshëm”, ka shkruar Zaev.

Edhe lideri i VMRO DPMNE-së, Hristian Mickoski, ka theksuar se është në gjendje të shkëlqyeshme shëndetësore dhe fizike.

“Gjatë ditës së djeshme, pasi mora informacionin për shëndetin e gazetarit me të cilin pata një intervistë saktësisht një javë më parë në lidhje me pandeminë, jam testuar dhe kam rezultuar negativ. Sidoqoftë, unë do të respektoj rekomandimet e profesionistëve shëndetësorë dhe në periudhën në vijim për disa ditë do të qëndrojë në izolim. Shpresoj që gazetari të rikuperohet shpejt dhe të kthehet në vendin e punës".

"Le t’i mbështesim ata që janë në vijën e parë të frontit kundër pandemisë. Shfrytëzoj rastin të falënderoj të gjithë ata që kanë shfaqur interes për shëndetin tim. Ne do të vazhdojmë të luftojmë në mënyrë aktive pandeminë që ka sjellë një krizë të rëndë shëndetësore, sanitare dhe ekonomike. Jam i sigurt se në fund do të fitojmë së bashku sepse çdo jetë ka vlerë dhe sepse e duam Maqedoninë. Të mbeteni shëndosh e mirë“, -ka theksua Mickoski.

Ndryshe gjatë 24 orëve të fundit në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar 49 raste të reja të të infektuarve me koronavirus.

Nga dita e premte e tërë Maqedonia e Veriut futet në izolim prej 61 orëve si pasojë e gjendjes së jashtëzakonshme të krijuar nga pandemia COVID-19. Ora policore fillon sot në orën 16:00 dhe e njëjta përfundon të hënën në orën pesë të mëngjesit, dhe gjatë kësaj fundjave qytetarët janë plotësisht të ndaluar të lëvizin.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ministri i Punëve të Brendshme i Maqedonisë së Veriut Naqe Çulev, thotë se personalisht është për vendosjen e masave më rigoroze sa i përket kufizimit të lëvizjes si masë për të parandaluar shpërndarjen e koronavirusit pasi siç është shprehur “qytetarët nuk heqin dorë nga mentaliteti për të pasur kontakte të afërta sociale”.

“Përfshirë edhe këto masa të cilat tani u ndërmorën, para së gjithash për shkak të mentalitetit të njerëzve që jetojnë në shtetin tonë dhe të cilët janë shumë të shoqërueshëm, kanë shumë kontakte sociale intensive dhe njerëzit vështirë heqin dorë nga mënyra normale e jetesës. Kështu që, edhe masat e Qeverisë janë në atë drejtim”, ka theksuar Çulev.

XS
SM
MD
LG