Ndërlidhjet

Thaçi sërish i kërkon Kurtit emrin e mandatarit për formimin e qeverisë


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti gjatë një takimi.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka dërguar sërish një letër liderit të Vetëvendosjes, njëherit kryeministër në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, duke i kërkuar emrin e mandatarit për formimin e qeverisë së re të Kosovës.

“Ju rikujtoj që Lëvizja Vetëvendosje është subjekti politik që ka fituar shumicën në Kuvend për të formuar Qeverinë dhe ka të drejtën e propozimit të kandidatit/es për të formuar Qeverinë”, shkruan Thaçi në letër.

Kjo është hera e dytë që presidenti i drejtohet Lëvizjes Vetëvendosje duke i kërkuar emrin e mandatarit për formimin e qeverisë.

Letrën e parë e kishte dërguar më 2 prill.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më 9 prill, Kurti ka theksuar se do t'i përgjigjen presidentit Thaçi në një moment të përshtatshëm, pasi prioritet për të dhe qeverinë në detyrë tash është situata me pandeminë.

“Ne nuk duam që të mos komunikojmë me presidentin, jemi shumë bashkëpunues, mirëpo në anën tjetër edhe jemi shumë të zënë me prioritete tjera në veçanti e mbi të gjitha me luftimin e pandemisë Covid-19. Kështu që, siç e kemi thënë më herët në një moment të përshtatshëm ne do t'i përgjigjemi presidentit, mirëpo nuk mund të them se do ta bëjmë tash menjëherë. Presidentin nuk e lëmë pa përgjigjje, por vendin tonë gjithashtu nuk e lëmë pa qeverisje të mirë“, ka thënë Kurti.

Pas votimit të mocionit të mosbesimit, më 25 mars, nga ana e shumicës së deputetëve të Kuvendit, Kosova po qeveriset nga një qeveri në detyrë.

Mocioni i mosbesimit ndaj të Qeverisë Kurti ishte iniciuar nga partia partnere e Lëvizjes Vetëvendosje në koalicionin qeverisës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe u mbështet edhe nga partitë opozitare.

XS
SM
MD
LG