Ndërlidhjet

Shtohen thirrjet për ndalim të tregjeve të kafshëve të egra


Një lloj i maceve (civet) duke u shitur për mish në një dyqan në Guangzhou në jug të Kinës.
Një lloj i maceve (civet) duke u shitur për mish në një dyqan në Guangzhou në jug të Kinës.

Shefja e Kombeve të Bashkuara për Biodiversitet, Elizabeth Maruma Mrema ka bërë thirrje për ndalim të tregjeve të kafshëve të egra, me qëllim të parandalimit të pandemive të reja në të ardhmen.

Mrema ka thënë për BBC-në se praktika e blerjes dhe shitjes së kafshëve të egra nëpër tregje, mund të përbëjë kërcënim edhe për shëndetin e njerëzve, ashtu sikurse të disa llojeve të kafshëve.

“Ne e dimë se në 60 vjetët e fundit, shumica e sëmundjeve të kafshëve janë rezultat i aktivitetit njerëzor… krijimi i kontakteve më të afërta mes kafshëve të egra dhe njerëzve, si dhe rritja e rrezikut të përhapjes”, ka shtuar ajo.

“Për këtë arsye, ne na duhet të sigurohemi që këto tregje janë të rregulluara mirë, të pastra dhe nuk janë të lidhura me tregti ilegale të kafshëve të egra”.

Mes tjerash, Mrema ka thënë se ka njohuri që shumë komunitete rurale në botë varen nga kjo lloj tregtie.

Aktualisht Kina ka marrë vendim për ndalim të konsumimit të kafshëve të egra, pas raportimeve se pandemia me koronavirusin e ri ka origjinën nga një treg i kafshëve në Vuhan ku rriten dhe shiten kafshët e egra, ndonëse ende nuk ka të dhëna të sakta se tregu në fjalë ka qenë burim i shpërthimit.

Si pasojë e koronavirusit të ri, deri më tani janë infektuar mbi 1,8 milionë persona, duke përfshirë mbi 100,000 të vdekur.

Për më shumë lajme rreth koronavirusit përcilleni blogun e Radios Evropa e Lirë.

XS
SM
MD
LG