Ndërlidhjet

Kërkohet lirimi i disa prej të burgosurve në Kosovë


Prishtinë

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka kërkuar nga institucionet e Kosovës që të lirohen nga vuajtja e dënimit disa kategori të të burgosurve, pas shfaqjes së pandemisë së koronavirusit.

Përmes një letre publike drejtuar institucioneve të Kosovës, kjo organizatë kërkon që të lirohen të gjithë të burgosurit që kanë në mbetje të dënimit më pak se pesë muaj, të moshuarit dhe të sëmurët, një numër i grave të dënuara dhe i të miturve.

KMDLNj po ashtu kërkon që të burgosurit që janë shfrytëzues të fundjavave në shtëpi, nëse nuk i plotësojnë kushtet për lirim të menjëhershëm, atëherë të lirohen në shtëpi për aq kohë sa zgjat pandemia dhe pastaj të kthehen në vuajtje të dënimit.

“Këto do të vlenin vetëm për të dënuar që e kanë vendimin e formës së prerë të gjykatës. Për rastet në paraburgim e që nuk mund të ndikojnë në vazhdimin e hetimeve apo e kanë shkallën e rrezikshmërisë së ulët, masa e paraburgimit duhet të zëvendësohet me një masë tjetër alternative”, thuhet në letrën e KMDLNj-së.

Të martën, edhe Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) kërkoi nga institucionet e Kosovës që të bëhen ndryshime ligjore, me qëllim të lirimit të përkohshëm apo amnistisë së të burgosurve në kohën e pandemisë së koronavirusit.

QKRMT-ja tha se shumë vende në rajon dhe vende evropiane kanë shfrytëzuar mundësitë ligjore ekzistuese duke e adresuar këtë nevojë, ashtu që një numër i madh i të dënuarve kanë përfituar nga lirimi prej dënimit, pezullimi i dënimit, falja apo amnistia.

Sipas këtyre organizatave, Kosova aktualisht ka rreth 2,000 persona të burgosur.

Ditë më parë është raportuar për dy gardianë të infektuar me koronavirus në burgun e Mitrovicës Veriore.

Kosova aktualisht ka 387 raste të konfirmuara me koronavirus; 9 pacientë kanë vdekur, ndërsa 69 janë shëruar.

XS
SM
MD
LG