Ndërlidhjet

Thaç​i diskuton zhvillimet politike me ambasadorët e Quint-it


Foto nga takimi i presidentit Thaçi me ambasadorët e Quint-it.
Foto nga takimi i presidentit Thaçi me ambasadorët e Quint-it.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është takuar të mërkurën me ambasadorët e vendeve të Quint-it dhe shefen e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Natalia Apostolova, për të diskutuar zhvillimet e fundit politike në Kosovë.

Vendet e Quint-it përfshijnë: Shtetet e Bashkuara, Britaninë e Madhe, Francën, Gjermaninë dhe Italinë.

Në një komunikatë për media, Thaçi është cituar të ketë folur për kërkesën që i ka nisur kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti për të propozuar kandidatin për formim të qeverisë së re, pas mocionit të mosbesimit të iniciuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

“Qytetarët e Kosovës kërkojnë dhe kanë nevojë për një qeveri me mandat të plotë, sidomos në rrethanat emergjente të shkaktuara nga pandemia”, ka deklaruar ai.

Thaçi po ashtu ka falendëruar të gjithë përfaqësuesit e shteteve pjesëmarrëse në takim për ndihmën që i kanë ofruar Kosovës në përballje me pandeminë e koronavirusit, si dhe ka shprehur ngushëllime për viktimat në çdo shtet.

Në Kosovë aktualisht janë të konfirmuara 387 raste të të infektuarve me koronavirus; nëntë pacientë kanë vdekur, ndërsa 69 janë shëruar.

Nga dita e mërkurë në këtë shtet kanë hyrë në fuqi masat e reja të qarkullimit të qytetarëve.

  • Detajet mbi oraret dhe kategoritë të cilave u lejohet qarkullimi mund t’i gjeni këtu.
  • Për më shumë lajme rreth koronavirusit vizitoni blogun e Radios Evropa e Lirë.
XS
SM
MD
LG