Ndërlidhjet

Autoritetet në Kosovë bëjnë thirrje kundër dhunës në familje


Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu përmes një videomesazhi ka njoftuar se për shkak të qëndrimit në shtëpi si pasojë e përhapjes së koronavirusit janë rritur edhe shifrat e dhunës në familje.

Ministrja Haxhiu ka thënë se autoritetet kanë ndërmarrë masa emergjente duke bërë që strehimoret të jenë të përgatitura për reagim si dhe janë vendosur në dispozicion tre numra të veçantë telefoni që pranojnë thirrje 24 orë në ditë.

“Qëndrimi në shtëpi, rritja e stresit dhe pasiguria, ka shënuar rritje të rasteve të raportuara të dhunës në familje kudo në botë, por edhe në Kosovë. Të jesh e mbyllur me abuzuesin është më keq se burg, sepse ata mund të përfitojnë nga situata e krijuar për të mos i lejuar partnerët të dalin jashtë dhe të kërkojnë ndihmë”, është shprehur ajo.

Ndërkohë edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë thirrje të ngjashme.

Kurti tha se rritja e numrit të rasteve të dhunës në familje ka bërë që të rritet edhe reagimi i institucioneve në kohën e pandemisë së koronavirusit.

“Dhuna asnjëherë nuk ka arsyetim. Për ne është e papranueshme dhe e dënueshme. Qeveria jonë e ka rritur buxhetin e strehimoreve për të mbijetuarat e dhunës në vlerën prej 900 mijë eurosh. Qeveria është duke i shikuar format për shtimin e numrit të programeve kundër dhunës në familje, çfarëdo forme që merr ajo: fizike, psikike apo seksuale”, ka shtuar ai.

Krahasuar me muajt e kaluar, në muajin mars në Kosovë janë shtuar rastet e dhunës në familje.

Rritjen e shifrave e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës. Sipas të dhënave të Policisë, në muajin mars ka një rritje të vogël të rasteve kur qytetarët kanë raportuar ushtrimin e dhunës ndaj tyre, gjithsej 169 raste.

Policia përmes një apeli drejtuar qytetarëve u bëri thirrje të gjithë personave që janë viktima të dhunës t’i lajmërojnë rastet në polici.

Përveç Kosovës, në shumë vende të tjera të botës është raportuar për rritje të rasteve të dhunës në familje për shkak të qëndrimit në shtëpi në kuadër të masave parandaluese kundër pandemisë së koronavirusit.

Në izolim, dhuna në familje në rritje
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:53 0:00

Me qëllim të parandalimit të përhapjes së sëmundjes Covid-19, që shkakton koronavirusi të mërkurën në Kosovë kanë hyrë në fuqi masat e reja të qarkullimit të qytetarëve.​

Deri më tani Kosova ka 423 raste të konfirmuara me koronavirus; 9 pacientë kanë vdekur, ndërsa 74 janë shëruar.

Për më shumë lajme rreth koronavirusit vizitoni blogun e Radios Evropa e Lirë.

XS
SM
MD
LG