Ndërlidhjet

Vuhani i Kinës rrit numrin e viktimave nga koronavirusi


Vuhan, Kinë

Qyteti Vuhan i Kinës, ku koronavirusi është shfaqur për herë të parë, e ka rritur numrin e viktimave nga kjo sëmundje për 1,290.

Me këtë shifër, numri i viktimave është rritur nga 2,579 në 3,869, përkatësisht për 50 për qind.

Autoritetet thanë se rishikimi është bërë për të adresuar disa vonesa dhe raportime të gabuara.

Vdekjet shtesë janë raste që u raportuan "gabimisht" ose u humbën plotësisht, thanë autoritetet.

Sipas Universitetit Johns Hopkins, me rishikimet e marra në konsideratë, Kina zyrtarisht ka mbi 83,700 të infektuar me koronavirus dhe mbi 4,600 viktima.

Ekspertët kanë vënë në dyshim infeksionet dhe vdekjet e raportuara nga Kina, duke vlerësuar se shifrat janë shumë të ulëta dhe jo të besueshme.

Ata gjithashtu kanë thënë se Qeveria e Kinës ka hezituar, veçanërisht në fillim, të raportojë rastet dhe shkallën e shpërthimit.

Uashingtoni e ka akuzuar Pekinin për fshehjen e shkallës së shpërthimit në ditët e para dhe për mospublikimin e të dhënave të sakta.

Kritika të ngjashme kanë bërë edhe Franca dhe Britania.

Koronavirusi, që e shkakton sëmundjen COVID-19, është përhapur në mbi 180 vende të botës.

Aktualisht janë mbi 2.1 milionë njerëz të infektuar dhe mbi 145,000 të vdekur.

XS
SM
MD
LG