Ndërlidhjet

Maqedonia e Veriut ndihmohet nga NATO për të luftuar lajmet e rreme


Ilustrim

Maqedonia e Veriut si anëtare e NATO-s është pjesë e luftës kundër lajmeve të rreme dhe dezinformatave që kanë të bëjnë me pandeminë e koronavirusit.

Ekspertët thonë se ndihma e NATO-s është mëse e nevojshme në këtë sfidë që ka të bëjë me luftën kundër lajmeve të rreme, për shkak se qytetarët në masë të theksuar kanë humbur besimin tek institucionet relevante të shtetit, andaj shtojnë se për këtë arsye u duhet një ombrellë e fuqishme mbrojtëse siç është aleanca veri-atlantike.

Ambasadorja e SHBA-së në NATO, Kay Bailey Hutchison, tha para gazetarëve se NATO tashmë është duke formuar një ekip të specializuar ndaj kërcënimeve hibride në Maqedoninë e Veriut ashtu siç tashmë është formuar në Malin e Zi, pasi dezinformatat dhe lajmet e rreme të Rusisë dhe Kinës në Ballkanin Perëndimor, kanë marrë hov me shpërthimin e krizës së pandemisë së koronavirusit.

Ajo ka theksuar se Maqedonia e Veriut si anëtare më e re e NATO-s, është cak i posaçëm i fushatës së dezinformimeve të organizuara nga Kremlini.

“Në Maqedoninë e Veriut përhapen shumë lajme të rreme sa i përket koronavirusit dhe ndihmës në pajisje që NATO-ja i dha aleates për ballafaqim me krizën në situata të jashtëzakonshme”, ka theksuar ambasadorja.

Ndërkohë, Xhelal Neziri nga organizata joqeveritare SCOOP që në fokus ka gazetarinë hulumtuese, për Radion Evropa e Lirë thotë se lajmet e rreme në kohë krizash, siç është pandemia me koronavirusin, nxiten nga qendrat Anti-NATO siç është Rusia dhe Kina e që kanë për qëllim minimin e të gjitha proceseve që ndërlidhen me integrimin e vendit në strukturat veri-atlantike.

“Këto lajme të rreme gjejnë një ambient më të përshtatshëm për tu përhapur në këtë kohë kur njerëzit janë të izoluar nëpër shtëpitë e tyre gjatë pjesës më të madhe të kohës. Dhe nëse miret parasysh dhe mungesa e besimit të qytetarëve në shkencë, në media, në institucionet publike për të cilat mendohet se këta kanë interes të fshehin diçka, atëherë ky ambient për përhapjen e lajmeve të rreme bëhet edhe më shumë i përshtatshëm“.

“Pra, është një luftë hibride që në masë të madhe ka fituar në intensitet gjatë krizës së pandemisë me koronavirusin sepse tani njerëzit janë më të ekspozuar në internet përkatësisht ndaj këtyre dukurive”, thotë Neziri.

Nga ana tjetër, Ilija Xhugumanov nga Aleanca Veri-atlantike në Maqedoninë e Veriut, për Radion Evropa e Lirë thotë se në vend funksionojnë më shumë media online të cilat shpërndajnë lajme të rreme, me përmbajtje problematike ku Aleancës Veri-atlantike i mvishet se gjoja po përfiton nga kjo pandemi.

“Në vendin tonë ka mbi 100 portale, rrjete sociale të cilat janë problematike, përkatësisht do të thosha se struktura udhëheqëse e tyre është e paqartë, pasi ka shumë pikëpyetje kush është pronar i tyre, dhe nga ku financohen, që shpërndajnë lajme të rreme pasi që vendi u bë anëtar i NATO-s, ose ajo se NATO fshehurazi në këtë moment po instalon rrjetin 5G që është i dëmshëm për shëndetin, duke shfrytëzuar panikun nga pandemia“.

“E keqja është se këto lajme pastaj shpërndahen përmes rrjeteve sociale nga mijëra profile dhe grupe të caktuara politike kështu që pasazhi mediatik me të cilin përballen qytetarët në Maqedonisë e Veriut në asnjë mënyrë nuk është i thjeshtë për të arritur deri tek e vërteta”, thotë ai.

Ndryshe, gjatë këtij muaji presidenti i Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski, ka zhvilluar bisedë telefonike me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, ku në fokus krahas aktiviteteve që po ndërmerr NATO-ja në këtë gjendje të krizës shëndetësore ka qenë dhe lufta kundër lajmeve të rreme dhe dezinformatave që plasohen ndaj aleancës.

Nga kabineti i Presidentit të Maqedonisë së Veriut është informuar se janë detektuar më shumë raste ku në formë të organizuar gjatë ditëve të fundit ka pasur tentim që të krijohet panik në mesin e qytetarëve përmes lajmeve të rreme që ndërlidhen me krizën me koronavirusin.

Edhe ministri i Punëve të Brendshme i Maqedonisë, Naqe Culev, ka bërë të ditur se tashmë janë ngritur disa proceduar hetimore në Prokurorinë Publike të shtetit ndaj disa portaleve dhe përdoruesve të rrjeteve sociale për shkak të përhapjes së lajmeve të rreme.

XS
SM
MD
LG