Ndërlidhjet

Gjermania publikon shifrat pas lehtësimit të masave kundër koronavirusit


Drezden, Gjermani

Gjermania tha se ka regjistruar 1,785 raste të reja me koronavirus gjatë 24 orëve të fundit, të cilat e rrisin në mbi 143,000 numrin e përgjithshëm të të infektuarve.

Instituti i sëmundjeve infektive Robert Koch tha po ashtu se 194 njerëz kanë vdekur në 24 orët e kaluara, duke e çuar në 4,598 numrin e viktimave nga koronavirusi në Gjermani.

Shifrat e fundit paraqesin një rritje të lehtë të infektimeve të reja, pas dy ditësh rënieje.

Qeveria gjermane ka thënë se koronavirusi është nën kontroll dhe ka lejuar këtë javë hapjen e disa dyqaneve të vogla.

Megjithatë, kancelarja Angela Merkel ka kërkuar që Gjermania të jetë e kujdesshme dhe e disiplinuar në luftën kundër koronavirusit, për të shmangur, siç ka thënë ajo, rikthimin e sëmundjes në javët e ardhshme.

Gjermania do ta shohë brenda dy javësh nëse relaksimi i pjesshëm i kufizimeve në jetën publike, e ngre lart nivelin e infeksionit, ka thënë Merkel.

Gjermania, edhe pse ka numër të madh të të infektuarve, ajo ka numër më të vogël të viktimave krahasuar me vendet tjera evropiane: Italinë, Spanjën dhe Francën – secila me mbi 20,000 të vdekur.

Suksesi relativ i Gjermanisë në trajtimin e koronavirusit u është atribuar kryesisht testimeve masive.

XS
SM
MD
LG