Ndërlidhjet

Abdixhiku: Serbia ka bllokuar transportuesit e mallrave nga Kosova


Ilustrim.
Ilustrim.

Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Ambientit në Kosovë, Lumir Abdixhiku ka njoftuar se autoritetet serbe kanë bllokuar transportuesit e mallrave të Kosovës.

Në një përgjigjje dhënë Radios Evropa e Lirë, ai ka thënë: Transportuesit e Kosovës janë ndaluar në Serbi. Po presim të kuptojmë arsyen, pasi ata janë bllokuar nga ora 13:00 e ditës së martë.

Ndërkohë në një postim në rrjetin social, Twitter, Abdixhiku këtë veprim të Serbisë e ka quajtur të pashembullt gjatë pandemisë.

“Autoritetet serbe kanë bllokuar të gjithë transportuesit e mallrave (operatorët e transportit) që vijnë nga Kosova. Ky është veprim çnjerëzor dhe një shkelje flagrante e marrëveshjes rajonale për korridoret e gjelbra gjatë luftës kundër COVID-19, marrëveshje për të cilën kanë rënë dakord të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor”, është shprehur mes tjerash ai.

Lidhur me këtë çështje ka reaguar edhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi.

Ai ka thënë se “qarkullimi i mallrave në rajon, sidomos në kohë të pandemisë, duhet të funksionojë në bazë të rregullave dhe praktikave, tashmë të miratuara nga CEFTA, të njohura si ‘green lanes’, apo korridore të lira, që mundësojnë arritjen e mallrave në destinacion, në një kohë optimale dhe barriera të pritjes në kufi”.

Rukiqi ka thënë se gjatë ditës se martë ka biseduar me homologët e Odave Ekonomike të Rajonit, përfshirë edhe kryetarin e Odës Ekonomike të Serbisë.

Sipas tij, të gjithë janë pajtuar që duhet angazhim nga të gjithë që të mos lejohet asnjë pengesë në qarkullimin e mallrave, dhe të mos rrezikohet në asnjë mënyrë zinxhiri furnizues.

“Presim që shumë shpejt do të lejohet edhe hyrja e kamionëve nga Kosova, të cilët jane bllokuar sot, në kufirin serb. Nuk ka asnjë arsye për asnjë bllokadë” ka thënë mes tjerash ai në një postim në rrjetin social, Facebook.

Trupi udhëheqës i CEFTA-s (Marrëveshja për Tregti të Lirë) ka përgatitur një listë të mallrave që konsiderohen të domosdoshme për të gjitha vendet e prekura nga koronavirusi i ri.

Kjo pajtueshmëri e arritur nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor ka nisur së zbatuari nga 13 prilli këtij viti.

Me këtë marrëveshje parashihet krijimi i një “korridori të gjelbër” për të lehtësuar transportin e mallrave në fjalë.

Për më shumë lajme rreth koronavirusit përcilleni blogun e Radios Evropa e Lirë.

XS
SM
MD
LG