Ndërlidhjet

FMN , OBT paralajmërojnë kundër kufizimeve në eksporte gjatë pandemisë


Ilustrim

Kufizimi në rritje i eksporteve, për shkak të pandemisë së koronavirusit, mund të jetë “shumë kundërproduktiv”, paralajmëruan të premten Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Organizata Botërore e Tregtisë.

Këto dy institucione iu bënë thirrje udhëheqësve globalë të përmbahen nga vendosja e kontrolleve të ashpra mbi shitjet e produkteve, ashtu siç kanë vepruar në kulmin e krizës financiare globale të vitit 2008.

"Jemi të shqetësuar me ndërprerjet e furnizimit nga kufizimi i eksporteve dhe veprimeve të tjera që kufizojnë tregtinë e produkteve mjekësore dhe ushqimore", thanë FMN-ja dhe OBT-ja përmes një deklarate të përbashkët.

Sipas tyre, ndërprerjet në zinxhirin e furnizimit dhe drejtimi i gabuar i produkteve të rëndësishme mund “të zgjasin dhe përkeqësojnë krizën shëndetësore dhe ekonomike".

Dy organizatat po ashtu paralajmëruan se vendet e varfra kanë gjasa të vuajnë më shumë.

Ndërsa rregullat e tregtisë globale e lejojnë përdorimin e kufizimeve të eksportit gjatë një emergjence kombëtare, FMN-ja dhe OBT-ja paralajmëruan se "ajo që ka kuptim në një emergjencë të izoluar, mund të jetë shumë dëmtuese në një krizë globale".

"Marrë në mënyrë kolektive, kufizimet e eksportit mund të jenë shumë kundërproduktive", thuhet në deklaratë.

FMN-ja dhe OBT-ja i mirëpritën vendimet e disa vendeve për të lehtësuar tregtinë e produkteve të nevojshme për betejën kundër koronavirusit, përfshirë këtu edhe uljen e detyrimeve të importit.

Vitin e kaluar, importet globale të mallrave të nevojshme në luftën kundër koronavirusit - të tilla si maskat ​për fytyrë, dorezat, sapunet, veshjet mbrojtëse, maskat e oksigjenit dhe ventilatorët - kanë arritur gati në 300 miliardë dollarë.

XS
SM
MD
LG