Ndërlidhjet

Shtatëmbëdhjetë raste të reja me koronavirus në Kosovë


Prishtinë

Ministri në detyrë i Shëndetësisë në Kosovë, Arben Vitia, tha se të hënën janë shënuar edhe 17 raste pozitive me koronavirus, ndërsa 35 pacientë janë shëruar nga sëmundja që e shkakton koronavirusi, COVID-19.

Përmes një postimi në Facebook, Vitia tha se këto rezultate janë shpresëdhënëse, por kërkoi nga qytetarët që të vazhdojnë t’i ndjekin masat kufizuese.

“Akoma nuk ka kaluar rreziku. Ndaj, ju lutem të mos shpërqendrohemi assesi dhe të ecim së bashku në këtë betejë të jashtëzakonshme për shëndetin dhe jetën e gjithsecilit”, tha Vitia.

Vitia u shprehu ngushëllime edhe familjarëve të një qytetari, që ka humbur jetën të hënën, derisa ka qenë duke u trajtuar për koronavirus.

Shifrat u konfirmuan edhe nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë, i cili tha se nga 226 mostrat e testuara të hënën, 17 kanë dalë pozitive.

Rastet pozitive janë raste kontakti, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.

Në Kosovë, gjithsej 780 persona janë infektuar me koronavirus; 201 janë shëruar dhe 22 kanë vdekur.

XS
SM
MD
LG