Ndërlidhjet

Mbi 8 miliardë dollarë donacione për luftimin e koronavirusit


Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Mbi 8 miliardë dollarë janë premtuar për zbulimin e vaksinës kundër koronavirusit.

Rreth 40 vende dhe donatorë morën pjesë të hënën në një samit virtual, të organizuar nga Bashkimi Evropian.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se paratë do të ndihmojnë për të nisur një bashkëpunim të paparë global.

Ajo tha se zotimet për donacione tregojnë vlerën e vërtetë të unitetit dhe humanitetit, por paralajmëroi se në ditët e ardhshme do të duhen shumë më shumë.

Në total, mbi 30 vende, se bashku me agjencitë e Kombeve të Bashkuara dhe institutet kërkimore, bënë donacione.

Donatorët po ashtu përfshijnë këngëtaren amerikane, Madonna, e cila premtoi një milion dollarë, tha von der Leyen.

Komisioni Evropian premtoi 1.1 miliard dollarë, ashtu si edhe Norvegjia.

Brenda BE-së, Gjermania dhuroi 573 milionë dollarë, Franca 545 milionë dollarë dhe Italia 153 milionë dollarë.

Kanadaja, në anën tjetër, premtoi një kontribut prej 850 milionë dollarësh, Arabia Saudite 500 milionë dollarë dhe Britania 482 milionë dollarë.

Shtetet e Bashkuara, Kina dhe Rusia nuk morën pjesë në konferencë.

Nga paratë që u mblodhën, 4.4 miliardë do të shkojnë për zhvillimin e vaksinës, rreth dy miliardë për kërkimet e trajtimit dhe 1.6 miliard për prodhimin e testeve, tha Bashkimi Evropian.

Numri global i të infektuarve me koronavirus ka kaluar tashmë 3.5 milionë, ndërsa i viktimave është afro 250,000.

XS
SM
MD
LG