Ndërlidhjet

Dy ministri kërkojnë më shumë hollësi rreth incidentit në Qendrën e Studentëve


Ilustrim.
Ilustrim.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë bashkë me Ministrinë e Shëndetësisë kanë thënë se janë në kërkim të detajeve më të hollësishme, që lidhen me rastin e vdekjes së Agon Musliut, teksa ka qenë në karantinë, në Qendrën e Studentëve në Prishtinë.

Ato u kanë bërë thirrje organeve të hetuesisë që të punojnë për zbardhjen e këtij rasti.

Më 3 maj, viktima është raportuar se ka vdekur pasi është hedhur nga katet e larta të njërit prej konvikteve në Prishtinë.

Një ditë më parë Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka bërë të ditur se ka filluar ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore për zbardhjen e plotë të rastit të vdekjes së 26-vjeçarit.

Në një komunikatë drejtuar mediave është thënë se zyrtarë të Ministrisë së Jashtme kanë kërkuar raporte të detajuara zyrtare nga ambasada e Kosovës në Gjermani dhe nga Qendra Operative e MPJD-së, e cila është përgjegjëse për koordinimin e kthimit të qytetarëve në Kosovë.

“Pas shqyrtimit të raporteve, kemi kuptuar që për rastin në fjalë Qendra Operative e MPJD-së dhe zyrtarët e saj, përveç shënimit në listë si ‘prob. shen. – posedonvertetim’, siç janë shënuar edhe rastet e tjera, nuk kanë pasur asnjë dokument shëndetësor. Duhet ta sqarojmë, që listat e tilla dërgohen rregullisht nga misionet diplomatike dhe ato nuk janë valide për ta përcaktuar qëndrimin apo mosqëndrimin e dikujt në karantinë, sepse ato përgatiten nga shefat e misioneve diplomatike, e jo nga organet shëndetësore”, është thënë në njoftimin e këtyre dy ministrive.

Me qëllim të luftimit të koronavirusit të ri në Kosovë, të gjithë personat që synojnë të hyjnë në këtë shtet, duhet t’i nënshtrohen karantinës 14-ditore në ambientet e Qendrës së Studentëve.

Sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, deri më tani në Kosovë janë regjistruar 855 persona të infektuar, 403 të shëruar dhe 26 të vdekur si pasojë e sëmundjes Covid-19, që shkakton koronavirusi.

Për më shumë lajme rreth koronavirusit përcilleni blogun e Radios Evropa e Lirë.

XS
SM
MD
LG